Site icon Telegrafi

Erdogan njofton se Turqia dhe Serbia do të rrisin bashkëpunimin, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes

Turqia dhe Serbia do të punojnë më shumë për të siguruar që bashkëpunimi midis komuniteteve të biznesit të dy vendeve të arrijë potencialin e tij të plotë, ka deklaruar presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Ne kemi potencial të rëndësishëm në shëndetësi, energji, teknologji informacion dhe komunikim. Ne duhet të korrim më shumë përfitime nga këto fusha. Do të jetë në interes të të dy vendeve që të ndërmarrin hapa të rëndësishëm së bashku, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes”, tha Erdogan në një konferencë shtypi së bashku me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në një Forum Biznesi Turqi-Serbi në Beograd.

Erdogan, përpara se të përfundonte vizitën e tij njëditore në Serbi, tha se beson se “është shumë e rëndësishme që të rrisin dialogun, veçanërisht në fushën e industrisë së mbrojtjes”.

Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Turqisë për të punuar me Serbinë në projekte si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së dhe Evropës Dixhitale, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

Duke vënë në dukje se rreth 850 kompani me kapital turk ndodhen në Serbi, Erdogan deklaroi: “Investimet e kompanive turke në Serbi, të cilat krijojnë vende pune, po rriten çdo ditë. Gjatë 12 viteve të fundit, vlera e shtuar e gjeneruar nga këto kompani është rritur në 405 milionë dollarë”.

Erdogan tha se kompanitë turke punësojnë gjithashtu rreth 9,600 njerëz në Serbi, ndërsa kontraktorët kanë arritur një vëllim biznesi prej më shumë se 1 miliard dollarë me 95 projekte.

Sa i përket vëllimit të tregtisë dypalëshe, lideri turk theksoi se të dy vendet kanë bërë përparim të dukshëm në një periudhë të shkurtër kohore, duke shtuar se vëllimi i tregtisë midis Turqisë dhe Serbisë “thyen një rekord për dy vjet rresht dhe arrin në 2 miliardë dollarë”.

“Dera është e hapur për sipërmarrësit serbë që janë të interesuar të investojnë në Turqi”, përfundoi Erdogan.

Nga ana tjetër, Vuçiq tha se marrëdhëniet e Serbisë me Turqinë “shkojnë shumë përtej bashkëpunimit ekonomik”, pasi lidhjet me Turqinë nënkuptojnë “paqe dhe stabilitet”./Telegrafi/

Exit mobile version