Kryeministri i emëruar i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se ka telefonuar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan “për të shprehur ngushëllimet e tij për sulmin e së dielës në Stamboll”.
Në anën tjetër, presidenti i Turqisë i ka thënë kryeministrit izraelit se është e rëndësishme të ruhen marrëdhëniet mbi bazën e respektimit të interesave të ndërsjella, ka bërë të ditur Presidenca turke, përcjell Telegrafi.
Duke theksuar “fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet Turqi-Izrael falë vullnetit të fortë të shfaqur nga të dyja palët”, Erdogan tha të enjten: “Ishte në interesin e përbashkët të Turqisë dhe Izraelit të ruanin marrëdhëniet duke respektuar ndjeshmëritë në bazë të interesat e ndërsjella dhe për t’i forcuar ato mbi një bazë të qëndrueshme”.
Ndërsa Netanyahu, i cili fitoi zgjedhjet këtë muaj, ka thënë se përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë midis Rusisë dhe Ukrainës janë “të rëndësishme për botën”.
“Të dy liderët ranë dakord të punojnë së bashku për të krijuar një epokë të re në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit”, citohet të ketë thënë Partia Likud e Netanyahut në një deklaratë, duke shtuar se ata diskutuan se si të forcojnë lidhjet ekonomike dhe diplomatike.
Telefonata vjen mes një “shkrirjeje” të marrëdhënieve të tensionuara prej kohësh midis Turqisë dhe Izraelit.
Kujtojmë se presidenti izraelit Isaac Herzog vizitoi Ankaranë këtë vit në vizitën e parë në Turqi nga një udhëheqës izraelit që nga viti 2008.
Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Turqisë kanë qenë të tensionuara për më shumë se një dekadë, me Ankaranë që ka dëbuar ambasadorin e Izraelit pas një sulmi izraelit në vitin 2010 në një anije ndihmash në Gaza, e cila vrau dhjetë shtetas turq.
Marrëdhëniet diplomatike u rivendosën në vitin 2016, por dy vjet më vonë Turqia tërhoqi diplomatët e saj nga Izraeli dhe dëboi të dërguarit izraelitë kur forcat izraelite vranë një numër palestinezësh që kishin marrë pjesë në protestat në Gaza.
Të dy vendet emëruan reciprokisht ambasadorë këtë vit. /Telegrafi/