Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se Turqia ka shpenzuar më shumë se 37 miliardë dollarë nga burimet e veta kombëtare për t’u kujdesur për refugjatët, por nuk do të mundet e vetme që të merret me këtë problem.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, duke folur në Konferencën e 6-të Ministrore në kuadër të Procesit të Budapestit në Stamboll, Erdogan tha se ndërtimi i mureve të larta me tela me gjemba nuk është zgjidhje për parandalimin e migrimit ilegal.
Ai vuri në dukje se ka rreth 260 milionë emigrantë anembanë botës, mbi 68 milionë persona të zhvendosur dhe më shumë se 25 milionë refugjatë.
“Në rrjedhën e tetë viteve, ne kemi pranuar rreth katër milionë njerëz, ndërkohë që disa vende që kanë mundësi më të mëdha ekonomike, “zihen me njëri-tjetrin” në mënyrë që të mos pranojnë 100-150 refugjatëve”, tha Erdogan.
Ai tha se politikanët evropianë, veçanërisht partitë raciste, po përpiqen të vijnë në pushtet duke treguar armiqësi ndaj refugjatëve. /Telegrafi/