Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin izraelit, Reuven Rivlin, në lidhje me tensionin e fundit në Mesxhid-i Aksa në Jerusalem. raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve nga burime presidenciale mësohet se presidenti Erdogan gjatë bisedës telefonike ka theksuar se ngjarja e 14 korrikut në kompleksin Al-Aksa, ku pati edhe viktima në njerëz, ka shkaktuar shqetësim dhe ka shtuar se shpreh keqardhje për ngjarjet dhe jetët e humbura.
Presidenti Erdogan po ashtu ka theksuar se dhuna nuk mund të aprovohet.
Ndër të tjera, pasi ka rikujtuar se duhet të tregohet respekt ndaj shenjtërisë së ambienteve fetare dhe statusit historik, Erdogan ka theksuar se është e nevojshme që myslimanët në kuadër të lirisë fetare duhet të hyjnë në Mesxhid-i Aksa pa asnjë pengesë.
Presidenti Erdogan duke vënë në dukje se Harem-i Sherif ka një rëndësi për të gjithë botën islame, është shprehur se tensioni duhet të përfundojë, ndërsa ushtarët izraelit duhet të heqin zbatimin e kontrollit me detektorë për metale në kohë sa më të shpejtë të mundur.
Nga ana tjetër, presidenti izraelit në bisedën telefonike ka theksuar se masat në fjalë janë ndërmarrë me qëllim të forcimit të sigurisë, ndërkohë ka garantuar se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në statusin e kompleksit Al-Aksa dhe se nuk do të kufizohen liritë fetare.
Presidenti Erdogan në lidhje me ngjarjen në Al-Aksa, ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me presidentin palestinez Mahmud Abbas.