Site icon Telegrafi

Erdogan: Më mirë t’i vrasim puçistët, sesa t’i ushqejmë në burgje

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka thënë në një intervistë për CNN të hënën se populli turk ka kërkuar dënimin me vdekje – që është shfuqizuar më shumë se një dekadë më parë – për të përfshirët në grusht-shtetin e dështuar ushtarak gjatë vikendit.

“Njerëzit nëpër rrugë e kanë bërë këtë kërkesë. Populli është i mendimit se këta terroristë duhen vrarë… Përse t’i mbaj e t’i ushqej ata nëpër burgje për vite me radhë… këtë e ka thënë populli”, ka thënë Erdogan për CNN, transmeton Koha.net.

Erdogan ka deklaruar sot se Parlamenti i shtetit do të vendosë nëse do të rikthejë dënimin me vdekje dhe, nëse kjo do të miratohet, ai do të aprovojë menjëherë vendimin.

Lexo po ashtu Hakmarrja e madhe e Erdoganit (Video)

Turqia ka larguar vendimin me vdekje në vitin 2004 si pjesë e kritereve për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, por zërat për rikthim të ligjit janë shtuar pasi një grup i ushtrisë tentoi grusht shtet të premten, nga e cila lëvizje mbetën më shumë se 200 persona të vrarë.

“Fillimisht duhet që parlamenti të vendos… Si president do të aprovoj çfarëdo vendimi që del nga Parlamenti”, ka thënë Erdogan për CNN.

Gjermania ia ka kujtuar Turqisë se kthimi i dënimit me vdekje mbyll rrugën për në BE.

CNN ka cituar Erdoganin të ketë thënë edhe se kërkesa zyrtare për ekstradimin e klerikut Fethullah Gulen nga SHBA-të do të dorëzohet ditëve të ardhshme.

Turqia thotë se Gulen ka qenë organizatori i tentim grusht-shtetit. Ai mohon përfshirjen.

Exit mobile version