Site icon Telegrafi

Erdogan merr dhuratë luksoze prej 400 milionë dollarësh, përballet me kritika të mëdha

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mori një avion luksoz prej 400 milionë dollarësh nga emiri i Katarit javën e shkuar, duke shkaktuar një valë kritikash nga kundërshtarët politikë.

Në përgjigje, Erdogan tha të hënën se Boeing 747-8 ishte një “dhuratë” nga Emir Tamim Bin Hamad Bin al-Thani.

Presidenti turk hodhi poshtë pretendimet se e kishte blerë avionin.

Ai u tha gazetarëve se Ankaraja kishte qenë e interesuar për blerjen e avionit, por emiri kishte këmbëngulur për t’ia dhënë si dhuratë.

Erdogan gjithashtu pohoi se avioni i përkiste popullit të Turqisë dhe jo atij personalisht, duke shtuar se ai do të përdorte avionin për udhëtimet e tij.

Mediat raportojnë se avioni ka dhoma bordi, salla pritje, kabinë luksoze dhe një spital funksional.
Aeroplani është projektuar për të transportuar 76 pasagjerë, përcjell oranews.tv.

Erdogan zbuloi çmimin prej 400 milionë dollarësh të avionit pasi u ngritën pyetje lidhur me koston e tij, ndërsa një anëtar i partisë opozitare nisi një hetim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Erdogan është përballur me kritika në të kaluarën për shpenzimet e tij marramendëse si për një pallat presidencial dhe një flotë automjetesh luksoze.

Por Turqia në këtë periudhë po përballet me një krizë ekonomike me rënien e lirës.

Doha ka kërkuar lidhje më të ngushta me Ankaranë, pasi marrëdhëniet e saj me fqinjët e Gjirit Arab u përkeqësuan për mbështetjen e dyshuar të Katarit ndaj ekstremistëve myslimanë.

Exit mobile version