Telegrafi

Erdogan: Marrëdhëniet me Serbinë në një nivel “perfekt”, Turqia do të hapë konsullatë në Novi Pazar

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka njoftuar se Turqia do të hapë një konsullatë të përgjithshme në Novi Pazar të Serbisë, raporton Anadolu Agency.

Në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç, pas bashkë-kryesimit të një takimi të nivelit të lartë të Këshillit të Bashkëpunimit Turqi-Serbi në Beograd, presidenti Erdogan tha se, “sot, ne po ndërmarrim një hap tjetër historik në kontekstin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Serbia iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Turqisë për hapjen e një konsullate të përgjithshme në Novi Pazar”.

Erdogan tha se takimi i tij me Vuçiçqn ishte “shumë i frytshëm” dhe udhëheqësit e të dy vendeve vendosën “qëllime të reja” në marrëdhëniet e tyre dypalëshe.

Presidenti turk po ashtu tha se marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Serbisë kanë arritur në një nivel “perfekt”, shkruan tutje AA.

Vëllimi tregtar dypalësh midis Ankarasë dhe Beogradit, bëri të ditur Erdogan, arriti në 1.2 miliard dollarë.

Ai u bëri thirrje kompanive turke të rrisin investimet në Serbi.