Site icon Telegrafi

Erdogan kritikon ashpër kërkesën rreth Kuranit në Francë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kërkesës së shkrimtarëve francezë dhe politikanëve të caktuar, përfshirë edhe ish-presidentin Nicolas Sarkozy, për të hequr fragmente të caktuara nga Kurani, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ditë më parë në Francë doli një grup i cili, duke publikuar një manifest, ka kërkuar të hiqen disa ajete nga Kurani. Është e qartë se ata që kanë shprehur këtë, nuk dinë rreth Kuranit, por, vallë, a kanë lexuar ndonjëherë në jetën e tyre librat si Inxhili, Tevrati apo Zeburi? Po t’i kishin lexuar, me siguri do të kishin kërkuar edhe ndalimin e këtyre librave”, tha Erdogan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij (AK).

“Ne bëhemi të këqij sa herë që paralajmërojmë vendet e perëndimit për islamofobinë, për armiqësinë kundër Turqisë, kundër të huajve apo racizmin. Kush jeni ju që sulmoni vlerat tona të shenjta? Ne e dimë se sa të ulët jeni ju. Sepse ju e keni bërë këtë dhe e bëni në çdo vend. Ne nuk ju njohim vetëm sot. Por, pavarësisht këtyre gjërave që ju bëni, ne nuk do të sulmojmë me të njëjtën gjuhë shenjtërive tuaja, sepse ne nuk jemi të ulët si ju”, shtoi presidenti turk.

Ndryshe, më 22 prill, në gazetën Le Parisien u publikua një manifest për “heqjen e disa ajeteve me arsyetimin se përhapin ide të dhunës dhe antisemitizmit”, e cila u nënshkrua nga 300 shkrimtarë dhe politikanë, përfshirë edhe ish-presidentin Sarkozy.

Exit mobile version