Telegrafi

Erdogan “kopjon” Mourinhon, jep një deklaratë interesante rreth rezultateve të referendumit në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një intervistë për CNN International, ka bërë vlerësime mbi situatën e fundit në Turqi dhe më gjerë.

Ndër tjerash, përcjell Telegrafi, Erdogan ka folur edhe për marrëdhëniet me SHBA-të, gjegjësisht telefonatën e urimit nga presidenti Donald Trump, marrëdhëniet me BE-në dhe rreth çështjes së ekstradimit të Fetullah Gulenit.

Duke dhënë një vlerësim edhe për rezultatin në referendumin e fundit, Presidenti Erdogan e ka krahasuar atë me përfundimin e një ndeshjeje futbolli duke thënë: “Unë vij nga futbolli dhe ne si njerëz që vijmë nga futbolli mund të themi diçka: Nuk ka rëndësi se sa është rezultati i ndeshjes, si 1-0, si 5-0, në fund të fundit pikët që do marrësh po 3 janë”.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë duke u ndërlidhur me kritikat rreth rezultatit të referendumit të fundit në Turqi, kur “PO”-ja kishte fituar rreth 52 për qind në raport me “JO”-në.

Një deklaratë e tillë mund të thuhet se “është kopjuar” nga strategu i njohur i futbollit, Jose Mourinho, i cili gjatë një deklarate pas një ndeshje, derisa ishte trajner tek Interi i Milanos ishte pyetur për rezultatin e një ndeshje e cila kishte përfunduar me vetëm 1 me 0 për ekipin e Mourinhos.

Lidhur me këtë, Mourinho kishte thënë “Një gol, tri pikë – kjo është e rëndësishme”. /Telegrafi/