Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Paris, gjatë një konference me homologun e tij francez Emannuel Macron, ka qenë shumë kritik ndaj bashkimit Evropian, në lidhje me zvarritjen e pranimit në BE të Turqisë.
“Për fat të keq, kemi bërë hapat e parë në vitin 1963 dhe ka qenë 54 vjet që Turqia pret ftesën e BE-së. Ne jemi të lodhur seriozisht, vendi im gjithashtu”, tha Erodgan.
Nga ana tjetër, Macron pranoi se negociatat për pranimin e Turqisë në Bashkimin Evropian janë shtyrë.
Ai beson se marrëdhëniet midis Evropës dhe Turqisë duhet të rishikohen në mënyrë që të krijojë një partneritet, që do të sigurojë që e ardhmja turke të ndërtohet në parimet evropiane.
Erdogan po ashtu nuk kaloi pa “përplasje” me gazetarë. Ai u revoltua kur një gazetar i kanalit televiziv France 2, i risolli në vëmendje përgjimet e janarit të 2014-tës nga shërbimi sekret gjerman BND, sipas të cilave Ankaraja kishte furnizuar me armë ISIS.
“Ju flisni me fjalët e Fetos, jo si një gazetar. Ata që bënë këto operacione ishin prokurorë të FETO-s, tani ata janë në burg. Ju më drejtoni mua atë pyetje, por pse nuk pyesni Shtetet e Bashkuara që kanë dërguar 4.000 kamionë me armë në Siri? Ju jeni gazetar, apo jo? Duhet ta keni hetuar edhe këtë. Ju nuk duhet të përballeni me dikë që nuk do ta gëlltisë lehtë”, tha Erdogan.