Site icon Telegrafi

Erdogan hyri në zhveshtoren e Turqisë, zbulohet se çfarë u tha lojtarëve pas eliminimit nga Euro 2024

Të shtunën, në Berlin kombëtarja turke e futbollit ka përfunduar paraqitjen e saj të mrekullueshme në Kampionatin Evropian, gjatë së cilës arriti deri në çerekfinale të kompeticionit.

Në këtë fazë Turqia u eliminua nga Holanda me rezultat 2-1, ndonëse skuadra e trajnerit Vincenzo Montella kishte epërsinë 1-0.

Pas ndeshjes, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, hyri në dhomën e zhveshjes, i shoqëruar nga ministri i Sporteve, Askın Bak, Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukekşi dhe anëtari i Bordit Drejtues të UEFA-s, Servet Yardımcı.

Duke uruar secilin anëtar të ekipit kombëtar me një shtrëngim duarsh, Erdogan u tha se ata janë kampionët e turqve, përcjell Telegrafi.

“Urime për të gjithë ju. Edhe pse ne arritëm këtë rezultat sot këtu, ju jeni kampionët tanë. Ne jemi të lumtur me ju. Kjo ka një të ardhme. Tani për tani, unë besoj në këtë. Ju e keni bërë këtë punë me shumë sukses. Ndodhi ajo që ndodhi, ne ishim ndër tetë më të mirët në Evropë”, deklaroi  Erdogan.

Erdogan foli shkurtimisht edhe me trajnerin Montella, i cili tha se është krenar që mund të përfaqësojë një vend të tillë me ekipin.

Kujtojmë se Turqia më parë ka kaluar grupin në të cilin ka garuar me Portugalinë, Gjeorgjinë dhe Çekinë dhe ka eliminuar Austrinë në 1/8 e finales. /Telegrafi/

Exit mobile version