Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, iu referua marrëdhënieve mes këtij vendi dhe Greqisë, si dhe ndikimit të mundshëm të këtyre marrëdhënieve në një aleancë ushtarako-politike siç është NATO.
Ndër të tjera, Erdogan komentoi edhe deklaratat negative të Greqisë për anëtarësimin e Turqisë në NATO.
“NATO është e fortë nëse Turqia është në të. NATO nuk është e fortë pa Turqinë. Qëndrimi negativ i Greqisë ndaj NATO-s nuk i dobëson marrëdhëniet tona me atë organizatë”, tha Erdogan para gazetarëve.
Presidenti turk komentoi edhe sjelljen e Greqisë gjatë misionit të zbulimit të aeroplanëve turq mbi Egje dhe Mesdheun lindor dhe i cilësoi veprimet e Athinës akt armiqësor.
“Greqia ka provokuar NATO-n dhe aleatët e saj duke rritur qëndrimin e saj armiqësor, i cili filloi të reflektohej përmes ngacmimit të hapësirës sonë ajrore dhe deri në aktivitetin e sistemit S-300 kundër avionëve turq F-16. Megjithatë, duhet thënë se Greqia nuk ka asnjë vlerë reale për NATO-n”, tha ai.
Kreu i Turqisë komentoi edhe lëvizjet e Greqisë në fillim të javës dhe tha se Greqia është një fqinj i keq.
“Për fat të keq, ky fqinj i keq vazhdimisht ngacmon Turqinë në mënyra të ndryshme në Detin Egje. Dëshirojë të sqaroj edhe një herë se forcat tona detare, tokësore dhe ajrore nuk do të bëjnë kurrë kompromis në asnjë lloj ngacmimi”, tha presidenti turk. /Telegrafi/