Telegrafi

Erdogan foli për situatën në Nagorno-Karabakh: Turqia e mbështet plotësisht Azerbajxhanin

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan komentoi ngjarjet aktuale në Nagorno-Karabakh, dhe ofroi mbështetje për Azerbajxhanin në atë që Baku e quajti një operacion anti-terrorist.

Ndër të tjera, Erdogan tha se Nagorno-Karabakh është pjesë e territorit sovran të Azerbajxhanit dhe se vendosja e një statusi tjetër është absolutisht e papranueshme, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi mbështetur që në fillim procesin e negociatave midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. Megjithatë, ne shohim se Armenia nuk e ka shfrytëzuar plotësisht këtë mundësi historike. Armenia duhet të mbajë premtimet e saj, duke përfshirë respektimin e korridorit”, tha Erdogan.

Me rastin e aktiviteteve të Azerbajxhanit, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë njoftoi se ata mbështesin operacionin ushtarak të Bakusë.

Lexo po ashtu Trazira në Armeni, demonstruesit para ndërtesës së qeverisë përleshen me policinë

“Si rezultat i shqetësimeve legjitime dhe të justifikuara që ka shprehur vazhdimisht në lidhje me situatën në terren në gati tre vjet që nga përfundimi i luftës së dytë të Karabakhut, Azerbajxhanit i është dashur të marrë masat që i konsideron të nevojshme në territorin e tij sovran”, thanë azerët.

Ata thanë gjithashtu se vetëm negociatat e drejtpërdrejta midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, mund të zgjidhin përgjithmonë konfliktin e gjatë dekadash.

“Ne besojmë se sigurimi i vazhdimit të një procesi gjithëpërfshirës negociues midis Armenisë dhe Azerbajxhanit është mënyra e vetme për të vendosur paqen, sigurinë, prosperitetin dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, përfunduan ata. /Telegrafi/