E plotësuar: Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se po “fryhet” ideja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet.
“Ne jemi kundër këtyre tendencave. Shihni se çfarë po ndodh me Sirinë dhe Irakun. Nuk dëshirojmë trazira të reja në Ballkan. Këto gjëra po i fryjnë vendet jodashamirëse të shqiptarëve”, tha Erdogan për Top Channel.
Ai ka mohuar se mbështet ndonjë parti politike në Kosovë.
“Ky është pretendim i shëmtuar. Mund të ketë parti politike që ka ideologji të njëjtë me partinë tonë. Ka ndonjë parti që dëshiron të fitojë nga përvoja jonë dhe ne i ndihmojmë”, tha Erdogan.
———————————————————
ERDOGAN FLET PËR ZGJEDHJET NË SHQIPËRI, I URON FAT EDI RAMËS (Video)
Në intervistën për gazetarin Sokol Balla, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vlerëson faktin se Shqipëria ruan një paqe dhe harmoni fetare model për botën.
“Shqipëria është vend unik me shumëllojshmëri fetare e kulturore dhe në këtë aspekt ka një respekt reciprok mes myslimanëve dhe të krishterëve. kjo bashkëjetesë është një pasuri dhe lutem shpesh që të mbështetet edhe më tej nga Shqipëria. Por ka edhe të tjerë që përpiqen ta përcajnë Shqipërinë. Lutem që ata të thyejnë kokën në mur”, thotë Erdogan.
Ai ka ndërtuar një raport special me kryeministrat shqiptarë, por duket se raporti me Edi Ramën shkon edhe më tej. Ai nuk ngurron ta urojë atë në mes të fushatës elektorale.
“Dua t’i uroj fat mikut tim të dashur, kryeministrit Edi në përpjekjet e tij. Po ashtu edhe presidentit të zgjedhur. Personalisht jam për një solidaritet mes tyre. Zgjedhjet në Shqipëri do të shënojnë fillimin e një epoke të re dhe unë besoj se shqiptarët do të fuqizojnë të ardhmen e tyre”, thotë Erdogan.
Por, në intervistën për gazetarin Sokol Balla, presidenti turk ndalet tek përplasja e dy institucioneve shtetërore më të larta dhe flet për forca që mund të cënojnë unitetin e shtetit nisur nga këto përplasje. Ai shprehet se nga pikëpamja ekonomike investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivele shumë serioze, rreth tre miliardë euro.
“Nuk e di sa investime keni marrë nga BE, por investimet tona nuk do të ndalen. Në Shqipëri ne kemi një rreze të gjerë investimesh dhe pak ditë më parë disa biznesmenë biseduan me mua për perspektivën e investimeve në Shqipëri pas zgjedhjeve”, thekson Erdogan. /Top Channel/