Në përfundim të vizitave në Tiranë dhe Beograd, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në avion, gjatë kthimit për në Turqi.
Ai e ka cilësuar vizitën në Shqipëri si konfirmim të miqësisë së palëkundur mes dy vendeve, ndërsa theksoi si mjaft të rëndësishme hapjen e xhamisë së Namazgjasë që do tu shërbejë 8000 besimtarëve në Tiranë.
Duke e cilësuar vizitën si jashtëzakonisht produktive dhe të suksesshme, Erdogan deklaroi se me kryeministrin Edi Rama ka shkëmbyer ide për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe çështjet globale, e veçanërisht për luftën në lindjen e mesme.
“Ne u përcollëm vëllezërve tanë në Shqipëri, përshëndetjet e kombit tonë të dashur dhe të afërmve të tyre në Turqi”, deklaroi presidenti Erdogan, duke shtuar se gjatë takimeve në vendin tonë u theksua vendosmëria për të luftuar bashkërisht kundër organizatave terroriste.
Presidenti tha se në Tiranë u bë hapja e Xhamisë së Namazgjasë, më e madhja në Ballkan, e ndërtuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare dhe Fondacioni i Dijanetit.
Duke folur për stacionin e dytë të turit të tij në Ballkan, vizitën në Serbi, ku u mbajt takimi i katërt i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, Erdogan tha se u Nënshkruan 11 marrëveshje dhe u theksua qëllimi i përbashkët për rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Presidenti turk bëri të ditur se gjatë takimeve në serbi theksoi mbështetjen për procesin e dialogut Beograd-Prishtinë, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në sigurimin e stabilitetit dhe paqes së përhershme në Ballkan./Top Channel