Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, përsëri ka folur për dëbimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova në Turqi.
Ka falënderuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi derisa ka thënë se veprimet e Ramush Haradinajt ishin për turp.
Madje, shkarkimin e Shefit të AKI-së dhe Ministrit të Brendshëm, Erdogan e ka quajtur gabim historik.
“Operacioni i fundit në Kosovë (Operacioni i MIT-it në Kosovë kundrejt strukturës së FETO-s në Ballkan) nuk është as i pari, nuk do të jetë as i fundit. Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘Turp’. Sepse largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Sepse ato e bënë detyrën e tyre”, ka thënë Erdogan, cituar sipas raportonAnadolu Agency (AA).
“Është miku, vëllai ynë kushdo që shkollat e FETO-s ia dorëzon Fondacionit turk Maarif, kush mbyll strehët e tyre të së keqes me pamjen e institucioneve të shoqërisë civile dhe kush i largon agjentët e tij nën pamjen e biznesmenit”, është shprehur Erdogan.
Reagimi i Erdoganit është i dyti brenda 24 orëve të fundit. Të shtunën, Erdogan paralajmëroi fundin e qeverisjes së Ramush Haradinajt dhe protesta të kosovarëve kundër tij.
Në anën tjetër, Presidenti Hashim Thaçi, i ka dalë në mbrojtje Shefit të AKI’së dhe ka thënë se dëbimi i shtetasve turq ka ardhur pasi ata ishin të rrezikshëm për Sigurinë Kombëtare.