Site icon Telegrafi

Erdogan: Evropa u hap dyert organizatave terroriste PKK dhe FETO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar se vendet e Evropës u hapin dyert “organizatave terroriste” si PKK dhe FETO.

“Me përjashtim të disa vendeve, Evropa po përjeton humbje të arsyes së shëndoshë. Sidomos Gjermania, me të cilën ne flasim gjëra të bukura. Ata flasin gjëra të tjera, por e vëreni se sërish i hapin dyert për organizatat terroriste si PKK dhe FETO”, tha Erdogan, i ftuar në një transmetim të përbashkët të Habertürk TV, Show TV dhe Bloomberg HT.

Komenti i Erdogan erdhi pasi u pyet nga drejtuesi në lidhje me një miting ditë më parë në Gjermani të partisë opozitare HDP të mbështetur nga PKK, ndërkohë që vendet kryesore të Bashkimit Evropian (BE) nuk i kanë dhënë mundësi partisë së tij të mbajë mitingje.

“Një kohë filluan të hedhin hapa seriozë kundër këtyre organizatave terroriste. Por tani po afrohen sërish zgjedhjet dhe kanë nisur të sajojnë arsye si ajo që duhet merreshka leje para tre muajsh. Deri më sot nuk ka pasur një zbatueshmëri të tillë, mos vallë PKK-ja ka marrë leje para tre muajsh? Ata jo vetëm partinë tonë atje, por edhe organizatat e shoqërisë civile nuk i lejojnë, nuk u japin salla. Një qëndrim i tillë është i papranueshëm”, theksoi Erdogan, shkruan AnadolyAgency.

Ai bëri të ditur se ministri i jashtëm turk do të shkojë në Gjermani me rastin e përvjetorit të fatkeqësisë Solingen, ku do të zhvillojnë një takim me kancelaren Angela Merkel dhe do të bisedojnë për çështjet në fjalë.

“Por, një gjë duhet ta kenë të qartë, se ne jemi bashkë në NATO. Së bashku jemi një fuqi globale. Po ashtu kemi një rrjet të rëndësishëm për sa i përket marrëdhënieve tona tregtare. Ne atje kemi rreth pesë milionë qytetarë tanë, nga të cilët një milion janë me shtetësi të dyfishtë. Në të njëjtën kohë, në Turqi vijnë rreth 4-4,5 milionë turistë çdo vit. Përse Gjermania e shikon kështu Turqinë”, potencoi presidenti Erdogan.

Exit mobile version