Telegrafi

Erdogan: E papranueshme të na ndalojnë të kemi armë bërthamore

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se është e papranueshme që shtetet që posedojnë armë bërthamore, t’ia ndalojnë Turqisë t’i ketë ato.

Megjithatë, Erdogan nuk tha nëse Turqia synon ta bëjë një gjë të tillë, transmeton Telegrafi.

“Disa vende kanë raketa me koka bërthamore, ndërsa neve na thonë se ne nuk duhet t’i kemi. Këtë nuk mund ta pranojë”, ka deklaruar Erdogan gjatë një fjalimi të mbajtur para anëtarëve të partisë së tij në Sivas.

Sipas presidentit turk, nuk ekziston ndonjë vend i zhvilluar në botë që nuk ka armë bërthamore.

Ndërkaq, kujtojmë se Turqia gjatë vitit 1980 kishte nënshkruar Marrëveshjen për mos zgjerimin e armëve bërthamore, ndërsa në vitin 1996 nënshkroi edhe një marrëveshje tjetër – atë të mos testimit të armëve bërthamore. /Telegrafi/