Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se është e drejtë sovrane e vendit të tij të blejë sistemin mbrojtës raketash S-400 nga Rusia.
Ai këto komente i bëri pas takimit në Moskë me homologun e tij rus Vladimir Putin.
“Ne tashmë kemi bërë një plan lidhur me marrëveshjen për S-400. Ne kemi marrë hapat e duhur, tani ka përfunduar e tëra. Pas gjithë kësaj, a duhet dikush të kundërshtojë të kërkojë që kontrata të anulohet, të mos e njohë opsionin tonë? Kur arritëm një marrëveshje dhe nënshkruam kontratën, është e natyrshme të vazhdojmë. Kjo është e drejta jonë sovrane. Askush nuk mund të kërkojë që ne të heqim dorë”, ka thënë Erdogan.
Ndryshe, siç kanë raportuar mediat ditë më parë, nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence, ka thënë se Turqia rrezikon anëtarësinë në NATO nëse blen sistemin rus, të cilin Uashingtoni e sheh si kërcënim për avionët amerikanë.
E presidenti turk Erdogan kishte thënë se Turqia ka shqyrtuar edhe blerjen e sistemit raketor amerikan Patriot, porse oferta e SHBA-së “nuk ka qenë e favorshme si ajo e Rusisë”.
Po sipas mediave, Ankaraja po krijon lidhje më të ngushta me Rusinë, pas përkeqësimit të marrëdhënieve të saj me SHBA-në dhe Evropën. /Telegrafi/