Pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Stamboll për bisedime, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se dyert e Turqisë janë ‘të hapura’ për refugjatët nga Libani.
Bëhet e ditur se Erdogan u takua me kancelarin Scholz në Pallatin Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.
Të dy krerët diskutuan përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe bashkëpunimin e industrisë së mbrojtjes, duke përfshirë një marrëveshje të mundshme për furnizimin e Turqisë me aeroplanë luftarakë Eurofighter Typhoon.
Ndryshe, të dy vendet janë anëtarë të NATO-s, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Duke thënë se Turqia po bën përpjekje të konsiderueshme në lidhje me migracionin dhe refugjatët, Scholz tha: “Ne do të mbështesim Turqinë në lidhje me pasojat e luftës në Siri. Ne dëshirojmë përparim midis Turqisë dhe BE-së”.
Bëhet e ditur se Turqia pranoi miliona refugjatë që ikën nga lufta civile në Sirinë fqinje që nga fillimi i saj në vitin 2011.
Deri në vitin 2023 kishte 3.2 milionë refugjatë sirianë të regjistruar në Turqi dhe shumë që nuk ishin regjistruar.
Por qeveria e Erdoganit ka deportuar më shumë se 50,000 prej tyre në Siri kohët e fundit pasi prania e sirianëve krijoi tensione të brendshme dhe ndikoi në ekonominë e vendit.
Dhe mbi 600,000 janë kthyer në Siri “vullnetarisht” sipas qeverisë.
Megjithatë, pavarësisht sfidës që paraqesin refugjatët sirianë, Erdogan tha se Turqia mbetet e hapur për të pranuar refugjatë nga Libani.
“Ne i kemi dyert e hapura për ata që vijnë në vendin tonë nga Libani gjatë një periudhe të tillë lufte”, tha presidenti turk. /Telegrafi/