Site icon Telegrafi

Erdogan: Deklaratat e gjermanëve të kujtojnë nazizmin

Deklaratat e politikanëve gjermanë për Turqinë të kujtojnë nazizmin, deklaroi sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në kohën e tensioneve të larta mes Ankarasë dhe Berlinit.

“Ky është nazizëm. Ky është fashizëm. Ju e bëni këtë”, deklaroi Erdogani gjatë një fjalimi në Ankara, duke reaguar ndaj deklaratave të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe të rivalit të saj Martin Schulz për Turqinë, gjatë një debati televiziv të dielën në kuadër të legjislativeve të 24 shtatorit në Gjermani.

Gjatë debatit, Merkel theksoi se është pro ndërprerjes së negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian të Turqisë.

Zyrtarisht negociatat mes BE-së dhe Ankarasë kanë filluar në vitin 2005, por aktualisht ato janë në një pikë të vdekur për shkak të situatës politike në Turqi, ku Erdogani akuzohet nga kritikët e tij për marrjen e pushtetit në Turqi dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Exit mobile version