Site icon Telegrafi

Erdogan “çmend” tregjet

Fitorja surprizë me mazhorancë absolute në zgjedhjet e përgjithshme të së Dielës e partisë së drejtuar nga Rexhep Taip Erdoan është pasqyruar menjëherë në treg.

Lira turke ka fituar më shumë se 4 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan. Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, që e çuan demokracinë e vendit në një ngërç, monedha vendase humbi mbi 30 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit. Fundosja e Lirës erdhi edhe si pasojë e pritjes ndaj ndërhyrjes së Rezervës Federale.

“Hakmarrja” duket se ka filluar me shpejtësi. Edhe bursa e Stambollit është ngjitur menjëherë në mbi 5 për qind fitim. Reagimi i tregjeve është më se i arsyeshëm, sidomos duke pasur parasysh frikën e madhe që parapriu zgjedhjet.

Mazhoranca e re parlamentare tashmë i mundëson kryeministrit Ahmet Davutoglu të formojë qeverinë, çka përkthehet në sinjal stabiliteti për tregjet. Për shkak të mungesës së mazhorancës, që prej 7 qershorit, stabiliteti në Turqi ka qenë i mangët.

Edhe fluturimi i kapitalit jashtë vendit, prej 900 milionë dollarë në muaj mesatarisht, tashmë pritet të frenojë. Pavarësisht situatës së vështirë, fushata e fundit elektorale nuk vuri në fokus ekonominë, por sigurinë. /Telegrafi/

Exit mobile version