Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se autostrada Sarajevë-Beograd do të ketë ndikim në zhvillime “shumë të rëndësishme” midis Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, raporton Anadolu Agency.
“Unë besoj se (autostrada) do të kontribuojë në përmirësime dhe zhvillime shumë të rëndësishme midis Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës”, tha Erdogan pas samitit trilateral Turqi-Bosnjë e Hercegovinë-Serbi në Beograd.
Erdogan tha se autostrada do të hapë rrugën e produktivitetit për banorët në rajon.
Presidenti i Turqisë deklaroi se samiti trilateral ishte “i frytshëm” dhe njoftoi se samiti i ardhshëm do të mbahet në muajin maj të vitit të ardhshëm.
Anëtari serb i Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, nga ana e tij, tha se në takimin trilateral është diskutuar autostrada që lidh Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, tubacioni “Rrjedha Turke” dhe nevoja për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Dodik tha se ka mundësi që të formohet një Këshill i Ministrave midis tre vendeve.
Anëtari boshnjak, Shefik Xhaferoviç, tha se Turqia është një faktor stabilizues në rajon, duke shtuar se çështje të shumta midis Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës duhet të adresohen në mënyrë bilaterale.
Anëtari kroat dhe kreu aktual i Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës, Zeljko Komsiç, tha se idetë e reja, të tilla si infrastruktura hekurudhore, po ashtu u diskutuan në takim.
Sonte më vonë, presidenti Erdogan do të marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të autostradës Sarajevë-Beograd.