Telegrafi

Erdogan akuzon Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut: Po e mbroni një terrorist

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e quajti hipokrite thirrjen e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për lirimin e politikanit kurd, Selahattin Demirtas.

Ai tha se vetëm gjykatat turke mund të vendosin për atë çështje, raporton euronews.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim, Erdogan akuzoi evropianët se po mbrojnë një “terrorist” dhe përsëriti se Demirtas ishte përgjegjës për vdekjen e dhjetëra njerëzve gjatë protestave të vitit 2014, të cilat janë në qendër të akuzave kundër tij.

Dhoma e Madhe vendosi të martën se Turqia duhet të lirojë urgjentisht Demirtasin, një ish-udhëheqës i Partisë Demokratike të Popullit, i cili ka qenë në burg për më shumë se katër vjet për krime të lidhura me terrorizmin, transmeton Telegrafi.

Erdogan akuzoi Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për standarde të dyfishta dhe miratimin e një vendimi “hipokrit” në lidhje me çështjen Demirtas, e cila, siç deklaroi ai, bie ndesh me vendimin në lidhje me partinë Bask Batasuna.

Në vitin 2009, gjykata gjeti se nuk kishte shkelje të të drejtave në raport në lidhje me mbylljen e Batasuna dhe shpalljen e tij si një organizatë e paligjshme.

“Nëse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dëshiron që Turqia ta respektojë atë, ajo duhet të rishikojë kontradiktat e veta”, tha Erdogan.

Ai shtoi se diskutimi ka të bëjë me një person i cili, siç pretendon ai, “mban maskën e një politikani dhe që është afër PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) dhe ka gjakun e dhjetëra njerëzve në duar”.

Erdogan tha se Demirtas u shpall fajtor në Turqi sepse nuk arriti të distancohej nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën Turqia, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një organizatë terroriste. /Telegrafi/