Site icon Telegrafi

Thirrja e MSh-së për “kthimin e trurit” në Kosovë, kardiologu nga Gjermania viziton ShSKUK-në

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar të shtunën se thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për profesionistët mjekësorë që jetojnë në mërgatë, së fundmi i është përgjigjur një mjek.

Bëhet fjalë për Fadil Ademaj, Kardiolog Invaziv, i cili për shumë vjet punon dhe vepron në Qendrën Klinike Universitare të Nurnbergut në Gjermani.

Ai ka vizituar ShSKUK-në, i shoqëruar nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha.

“Në takim me zëvendësministrin Berisha dhe u.d. drejtoreshën e përgjithshme të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ku prezent ishin edhe drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK me mjekë të tjerë, është biseduar për bashkëpunimin dhe përkrahjen që do të bëjë për mjekët e Kosovës, Dr. Ademaj”, thuhet në komunikatën për media.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Ademaj do të ndihmojë trajnimin e mjekëve kardiologë në QKUK, por edhe në Spitalin e Prizrenit, ku po punohet për hapjen e Shërbimit të Kardiologjisë Invazive.

“Po ashtu, mjekë nga Kosova do të shkojnë për trajnim në qendrën e specializuar në Gjermani, ku punon Dr. Fadil Ademaj”, thuhet tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version