Policia kufitare në Rinas njofton se ka ndëshkuar dhe 9 persona të tjerë, me masën administrative 700.000 lekë secili (560 euro), për shkelje të vetëkarantinimit të detyrueshëm 14-ditor që duhet të kryejnë të gjithë ata që vijnë nga Britania e Madhe. Dy ditë më parë, Policia Kufitare e Rinasit ndëshkoi 6 persona me gjobë për shkelje të vetëkarantimimit.
Gjoba është vendosur pas urdhrit të 21 dhjetorit për për ndalimin e lëvizjes përmes rrugëve ajrore me Britaninë e Madhe për shkak të variantit të ri të koronavirusit ku në pikën 2 thuhet se personat që kanë udhëtuar nga Britania e Madhe dhe hyjnë në Shqipëri, janë të detyruar të vetëkarantinohen për 14 ditë. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë mbajtur një regjistër të veçantë për këta persona dhe kanë njoftuar komisariatet përkatëse të qyteteve ku kanë vendbanimet, njofton ABC News.
Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë intervisitimit dhe verifikimit të personave që dalin nga Shqipëria, kanë konstatuar 9 shtetas që kanë shkelur vetëkarantinimin e detyrueshëm dhe kanë tentuar të largohen nëpërmjet Rinasit për në destinacionin e tyre.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që kanë hyrë në Shqipëri gjatë javës së fundit të dhjetorit 2020, nga Britania e Madhe, nëpërmjet rrugës tokësore, detare apo ajrore, të mos tentojnë të shkelin vetëkarantinimin e detyrueshëm, pasi do ndëshkohen me masë administrative sipas Aktit Normativ dhe nuk do lejohen të lëvizin në drejtim të destinacionit të tyre pa kryer vetëkarantinimin e detyrueshëm.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat anticovid, duke vendosur maskën dhe ruajtur distancimin social, të respektojnë oraret kufizuese për ndalimin e qarkullimit te këmbësorëve dhe të automjeteve, ndërsa pronarët e bizneseve të respektojnë orarin për mbylljen e detyrueshme të bizneseve.