“Le t’i tregojmë botës se cila është Shqipëria në të vërtetë” – Kështu e shoqëroi Erald Halili videon e tij të cilën e ideoi për të qenë pjesë e një trendi botëror “Çfarë nënkuptoj kur them se jetoj në…”.
Sot, një javë më vonë, video numëron plot 1 milion shikime vetëm në Instagram. Kësaj sigurisht duhet t’i shtojmë edhe qindra mijëra shpërndarje nga shqiptarë, dhe jo vetëm, nga e gjithë bota të cilët me krenari treguan atë që me shumë mundësi është kartolina më e bukur promovuese e Shqipërisë.
Për ata që nuk e njohin, Eraldi pëlqen ta quaj veten “dronaxhi” siç ka edhe emrin në profilin e dytë të Instagram. Pasioni për dronët, bashkuar me atë të udhëtimeve e kanë veçuar gjithmonë profilin e tij me foto dhe video nga më kreativet, shkruan Geek Room.
Ajo dedikuar Shqipërisë ishte fenomeni viral i javës i cili i solli 26,000 ndjekës të rinj në 7 ditë dhe një mesazh urimi nga vetë Mark Zuckerberg.
Si ngjajnë statistikat e videos në Instagram? Eraldi i ndau ato ekskluzivisht me Geek Room.
1 milion shikime në vetëm një javë u ndihmuan sigurisht nga 71,500 shpërndarje në Story dhe mesazhe, 204,000 likes dhe plot 4,565 komente – 100% e tyre ishin urime dhe falenderime.
Sigurisht që algoritmi i Instagram bëri pjesën e tij pasi pa sa virale u bë video duke e shpërndarë atë tek 123,000 persona në Explore Page, 86,500 në feed, 43,600 në hashtag search dhe 700,000 të tjerëve në mënyra të ndryshme. Në total video arriti në 726,000 persona nga e gjithë bota – kjo vetëm nga profili i Eraldit në Instagram dhe pa llogaritur sa prej nesh kanë bërë repost.
Po tani?
Eraldi na tregon se pas videos ka arritur të marrë ftesa për bashkëpunime nga shumë personazhe të njohur të cilët kërkojnë një pjesë nga talenti i tij. Nëse këtë vere videoklipet kanë pamje fantastike me dron, ju e dini se kush i ka realizuar.