Site icon Telegrafi

Era shtet

Dhe Gjykata Kushtetuese sërish dha fjalën e saj. Për çështjen e njëjtë. Presidentin e Republikës. Dy herë brenda gjashtë muajsh, për dy shkelje, efektet e të cilave patën trazuar dhe sërish pritet të trazojnë fort zhvillimet konstitucionale në vend. E shpejtë, e pavarur e profesionale, e kështu ligjërisht e fuqishme, për një gjë është e sigurt, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po kthehet në ankthin 24-orësh të politikës kosovare. Në murin e pakapërcyeshëm për të dy presidentët e fundit. Në plëngprishësen e kokëfortën kundrejt vendimeve e procedurave të logjikës “unë jam ma i forti”. Një vendim i drejtë, gjë e mirë për Kosovën, që absolutisht nuk duhet të përkthehet si i qëllimshëm kundrejt figurës së presidentit apo atyre që e sollën aty. E tërë kjo ka të bëjë me mënyrën. Sepse në rendin e bërjes së gjërave gjithmonë duhet patur kujdes, mënyrën.

Dëm e fitore

Çka fitohet e çka humbet, është e vështirë të nxirren përfundime të menjëhershme. Se a do të ketë kapërcim taktik të tipit dellian e blerje vote nën presion për të dalë nga kjo situatë e re, apo një kthim në pikën fillestare, kompozicion të ri politik apo edhe e fundit fare, zgjedhje të reja, mbetet të shihet. Tash për tash, efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë të dhimbshme sidomos për opinionin publik, që pas muajsh të tërë cirku zgjedhoro-politik, do i duhet sërish të rikalojë nëpër të.

Ndërsa në aspektet afatgjata, efektet janë shumë pozitive për të gjitha proceset e demokratizimit e të shtetndërtimit. Këto vendime të një institucioni që po jep shenja të konsolidimit e pjekjes konstante, nuk duhet parë si fitore e opozitës, apo kundërshtarëve tjerë të qeverisë, por si NDALESË edhe për vetë opozitën, nëse nesër i futet rrugëve joligjore për arritjen e qëllimeve politike. Në të njëjtën kohë, një vendim i tillë është i shëndoshë edhe për vetë pozitën, sepse nesër kur të mos jetë në pushtet, një Gjykatë Kushtetuese efikase e profesionale në vendimet e saj, do t’i mbrojë nga shkeljet e mundshme.

Mësimi

Shtyrja e pavarësisë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2009, si dhe zgjedhjet politike për udhëheqësit e institucioneve të pavarura, i kanë bërë shumë dëm Kosovës. Këtë më së miri na e dëshmon dhe mëson roli i Gjykatës Kushtetuese në vendimin për presidentin Sejdiu dhe për presidentin Pacolli, se askush nuk e ka të garantuar pozitën e tij, sidomos kur bëhen shkelje, qoftë edhe proceduriale. Se të gjithë duhet të kenë frikë nga ndëshkimi, në këtë rast ndëshkimi kushtetues e institucional. Kjo e bën një qeveri që të mos krekoset parakohe për numra votash të mjaftueshme, për dominanca e mazhoranca, për qeverisje të garantuar e të kontrolluar si t’ia dojë qejfi, nga poshtë-lart.

Po ashtu gjithë spektri politik të nxjerrë mësim të shpejtë nga kjo, duke bërë reforma brenda përbrenda partive në emër të zhvillimit, suksesit, e jo në emër të lavdive të kaluara e patriotizmit tashmë të konsumuar. Sepse një ofertë e dobët politike, po, mund të sjellë një instant-qeveri dhe një instant-president, por edhe një instant-largim.

Në këtë vazhdë zhvillimesh, edhe institucionet tjera bartëse të drejtësisë e pushtetit ligjor të marrin shembull e të motivohen për marrjen e vendimeve të forta e të drejta, që në fund të fundit janë të rëndësishme për demokracinë, popullin, për të cilin edhe janë krijuar.

Besimi

Si me asgjë tjetër, përditshmëria e shoqërisë në Kosovë karakterizohet nga mungesa e besimit. Besimit në vërtetësinë e institucioneve, besimit në zgjedhjet e lira politike, besimit në projektet e qeverive për bërjen e Kosovës.

Të kritikuar rëndë për një sistem ligjor të dobët, për gjykata jofunksionale dhe të ndikuara skajshmërisht nga politika, më shumë se kurrë, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese japin sinjal të qartë për kthimin e mundshëm të besimit. Kthimin e besimit te qytetarët, duke mos lënë anash edhe nevojën për kredibilitetin rajonal dhe më gjerë në Evropë.

Besimit se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese mbajnë aromë pavarësie dhe profesionalizmi. Aromën e shtetit të Kosovës.

Exit mobile version