Telegrafi

Era me shpejtësi deri në 207 km/h, një i vdekur dhe mbi 1 milion shtëpi pa energji elektrike në Francë – stuhia pritet të godasë shumë vende në Evropën Perëndimore

Në Francë, bregu veriperëndimor u godit nga stuhi të dhunshme pasi era me shpejtësi deri në 207 km/h u regjistrua në Pointe du Raz, në departamentin Finistère në Brittany.

Stuhia ka lënë 1.2 milionë shtëpi pa energji elektrike në Francë, 780 000 prej të cilave ndodhen në Brittany, tha ofruesi i energjisë Enedis të enjten në mëngjes, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ministri i Transportit, Clément Beaune i tha radios Franceinfo të enjten se një shofer kamioni kishte vdekur në departamentin Aisne në verilindje të Parisit kur një pemë ra mbi kamionin e tij.

“Kjo tregon se edhe në rajonet që nuk janë në alarm të kuq, ka një rrezik shumë të lartë në rrugë”, tha Beaune.

Gjithsej 31 departamente franceze janë vendosur në “gadishmëri portokalli” për mot të rrezikshëm ndërsa në zona të caktuara përgjatë Atlantikut priten dallgë nga tetë deri në dhjetë metra.

Një paralajmërim për “erë të dhunshme” është vendosur në Paris.

Por stuhia pritet të godasë shumë vende në Evropën Perëndimore.

Zyra Met në Mbretërinë e Bashkuar lëshoi paralajmërime për motin për erëra me shpejtësi rreth 130 km/h ose më shumë në zonat bregdetare të mërkurën mbrëma dhe deri të enjten.

Ndërkohë linja ajrore holandeze KLM anuloi dhjetëra fluturime për dhe nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit të enjten pasi Ciaran pritet të godasë Holandën me erë deri në 110 km/h. /Telegrafi/