Kulmi i stadiumit buzë Ibrit u renovua me investim prej 100 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit. Kulmi ishte djegur në fillim të vitit, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetari i klubit Trepça ’89, Abedin Zeka nuk dyshon në punimet e bëra nga kompania kontraktuese, por thotë se shkaktare ka qenë era e fortë që ka fryrë të shtunën mbrëma në Mitrovicë. 89-shi ka në shfrytëzim këtë stadium.
"Nuk e mbaj në mend të ketë fryrë kaq shumë erë siç fryu të shtunën në Mitrovicë. Është dëmtuar një pjesë e kulmit të tribunës dhe shkaktar i saj ka qenë era e fortë. Nuk do të akuzoja askënd, pasi ka pasur një erë me fuqi të madhe. Tash nuk e di nëse do të marrë përsipër kompania vendosjen e mbulojës së re apo si do të shkojë puna tutje. Për këtë besoj se do të gjendet gjuhë e përbashkët ndërmjet kompanisë dhe MKRS-së. Më vjen keq për këtë që ka ndodhur. Era ka shkaktuar dëme edhe në fushën ndihmëse. I ka prishur rrethojat dhe shtyllat elektrike", ka thënë Zeka, të dielën, për gazetën.