“Let’s get married” është bashkëpunimi më i ri ndërkombëtar i këngëtares shqiptare, Era Istrefi me Offset dhe Yellow Claw.
Ky projekt i lansuar para pesë ditëve në kanalin zyrtar, YouTube, për vetëm një kohë të shkurtër ka kaluar shifrën e 300 milionë shikimeve.
Megjithatë, 25-vjeçarja nuk do ndalet me kaq, pasi ka nisur punën për këngën e re, derisa ka ndarë disa fotografi në rrjetet sociale nga një studio muzikore në Francë.
Ndërkohë që kjo këngë punohet në Paris, nuk dihet nëse edhe këtë herë artistja Istrefi po vjen me një projekt për tregun ndërkombëtar.
Sido që të jetë, projektet e saj janë mjaft të pëlqyera dhe thuajse çdo këngë e Erës bëhet hit, edhe pse ka kohë që nuk ka sjellë këngë tërësisht në gjuhën shqipe. Mirëpo, e fundit mbetet ajo me motrën e saj, Norën, “Nuk e di”, projekt ky i lansuar në muajin prill dhe që u mirëprit nga fansat e dyshes.
Sakaq, autorja e hitit “Bon Bon” edhe këtë vit argëtoi publikun shqiptar me koncerte, duke mos munguar edhe ato jashtë trojeve shqiptare. /Telegrafi/