Era e fortë që pasditen e sotme për disa orë ka kapluar edhe qytetin e Tetovës ka thyer një pemë që ka rënë mbi disa vetura në bulevardin “Blagoja Toska”, afër ish-shtëpisë së mallrave “Tetovarja”.
Pema ka rënë mbi makina të parkuara, ndërsa sipas informacioneve fillestare nuk ka persona të lënduar.
Nga njesiti territorial kundër zjarreve – Tetovë, dhanë detaje më të hollësishme lidhur me rastin.
“Pas denoncimit në shërbimin tonë, dolëm menjëherë në terren ku konstatuam se era e fortë kishte rrëzuar një pemë që ka rënë mbi dy makina. Fatmirësisht në atë moment nuk ka pasur njeri aty pranë, ndaj nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ekipi ynë së bashku me ekipin e Qendrës për Menaxhim me Kriza në Tetovë, menjëherë kanë filluar me heqjen e pemës së rënë për të mundësuar kalimin e automjeteve në rrugë”, tha Avni Ameti, komandant i Zjarrfikësve nga Tetova.
Ndërkohë që ka ndodhur ndërhyrja për prerjen dhe heqjen e pemës së rrëzuar, policia ka devijuar qarkullimin në bulevard.