Telegrafi

Era e fortë shkakton prishje në rrjetin elektrik, 100 mijë banorë në terr

KEDS njofton se si pasojë e erërave të fuqishme janë shkaktuar dhjetëra prishje në rrjetin distributiv të energjisë elektrike anekënd Kosovës, për pasojë, mbi 100 mijë konsumatorë aktualisht janë pa energji elektrike.

Sipas njoftimit të KEDS-it, zona më e afektuar është rajoni i Dukagjinit, ku përfshihen Peja, Prizreni dhe Gjakova, por numër i prishjeve  është shënuar edhe në Prishtinë dhe Mitrovicë.

“Ekipet e KEDS-it janë në terren, madje kompania ka mobilizuar menjëherë edhe ekipe shtesë që po i sanojnë prishjet në kohën më të shkurtër të mundshme. Por, erërat e stuhishme deri në 80 kilometra në orë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ku shumë përçues janë përtokë, përderisa janë thyer edhe një numër i konsiderueshëm i shtyllave. Kjo, së bashku me kushtet tejet të rënduara atmosferike po e bëjnë intervenimin shumë të vështirë”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

KEDS kërkon nga qytetarët që nëse shohin ndonjë anomali në rrjetin elektrik të mos i ofrohen, por të lajmërojnë menjëherë KEDS-in përmes kanaleve të komunikimit, sidomos në numrin e Qendrës së thirrjeve 0800 791 00. /Telegrafi/