Site icon Telegrafi

EQAR: Agjencia e Akreditimit t’i përmbushë dispozitat ligjore për ripranim

Sigurimi i pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në kuadër të dispozitave ligjore është kusht për ripranimin e kësaj agjencie në Regjistrin Evropian për Siguri të Cilësisë (EQAR), pas përjashtimit që iu bë për shkak të vendimit mbi shkarkimin e anëtarëve të Bordit dhe menaxhmentit të AKA.

Këto komente janë bërë sot në tryezën me temën “Monitorimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Sa po e përmbush detyrën e saj në sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë?”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku u diskutua për performancën e AKA, sfidat dhe problemet që has ky institucion, si dhe rolin e tij mbi sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.

Colin Tuck, drejtor i Regjistrit Evropian për Siguri të Cilësisë (EQAR) ka thënë se sa i përket kushteve që të ripranohet Agjencia e Akreditimit në EQAR, lidhet me autonominë e agjencisë për sigurimin e pavarësisë së saj në kuadër të dispozitave ligjore.

“Sa i përket kushteve që të ripranohet Agjencia e Akreditimit në EQAR lidhet me autonominë e Agjencisë për sigurimin e pavarësisë së saj në kuadër të dispozitave ligjore. Nuk mund të garantojmë se do të rikthehet”, tha ai.

Ai shpreson se gjatë rishikimit në mars të vitit të ardhshëm, Kosova të kthehet përsëri në EQAR.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit parlamentar për arsim, ka thënë se ky Komision është i përkushtuar që Kosova të ketë një Agjenci të Akreditimit të pavarur.

Ai shtoi se gjendja e bazuar edhe në njoftimet që i ka Komisioni, Agjencia pranon shumë të meta të cilat duhet të rregullohet. Shumë kolegje, sipas tij, pranojnë studentë në programet e pa akredituara, që për Kurteshin është skandal dhe mashtrim.

“Disa institucione të arsimit të lartë, private, regjistrojnë studentë në programe të pa akredituara. Kjo është skandal, kjo mënyrë vërtet duhet të ndërpritet , edhe nëse lejohet kështu t’i mashtrojmë të rinjtë tanë, të humbin kohë, të japin para dhe në fund të konstatohet se program I tyre nuk ka qenë i akredituar – dhe ata të konstatojnë pas tri viteve që krejt ajo ka qenë një mashtrim, nuk do të duhej me ndodhë në një shtet që minimalisht funksionon”, ka thënë Kurteshi.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha se niveli i cilësisë së arsimit në Kosovës është mjaft i ulët dhe pasojat janë të pariparueshme.

“Niveli i cilësisë së arsimit dhe edukimit në Kosovë, është skajshmërish i ulët. Pasojat që po shkaktohen në vazhdimësi dhe pasojat që veç se janë shkaktuar janë të pa evitueshme, shkatërrimtare dhe të pa riparueshme. Të gjitha këto vijnë si mungesë e vullnetit dhe përkushtimit të institucioneve shtetërore si dhe institucioneve vartëse të arsimit të lartë, në mungesë të adresimit të problemeve që ne përballemi çdo ditë”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa Gazmend Luboteni kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim tha se nëse arrihet të bëhet ligji adekuat që garanton pavarësi për këtë agjenci, kjo do ta ndihmojë Kosovën të rikthehet në EQAR.

“Është në proces e sipër hartimi i projekt-dokumentit për ligjin e AKA-së. Javën tjetër do të bëhet një draft-projekt fillestar dhe nëse arrijmë këtë ligj ta përfundojmë ndoshta deri në fund të këtij viti, ky do të jetë moment kyç për rikthimin e Kosovës në EQAR. Për shkak se pikërisht për këtë gjë është përjashtuar Kosova nga ky institucion”, tha Luboteni.

Ndryshe, ndërhyrja e politikës në arsim, ka bërë që Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) të përjashtojë Agjencinë e Akreditimit të Kosovës në fillim të këtij viti. Kjo ka ndodhur për shkak të vendimit që është marrë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit dhe menaxhmentit të Agjencisë së Akreditimit. /KP/

Exit mobile version