Telegrafi

“Epopeja e Dukagjinit”, definicioni më kuptimplotë se sa e shtrenjtë është liria

Me rastin e 24 vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”, personalitete të shumta nga skena politike por edhe të fushave të tjera kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Gllogjan.

Në mesin e shumë personaliteteve ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në një postim në Facebook, Mehaj tha se lufta heroike e djemve dhe vashave të Dukagjinit dhe gjithë Kosovës janë burimi i pashtershëm i frymëzimit tonë dhe definicioni më kuptimplotë se sa e shtrenjtë është Liria e Kombit dhe Atdheut dhe sa shumë është sakrifikuar për to.

“Sot me të ardhur nga vizita në Izrael u nisa menjëherë në Manifestimin Përkujtimor në shënimin e 24 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit. Në Kompleksin Memorial të Heronjve në Gllogjan, sot qëndruam fizikisht dhe shpirtërisht me kujtimin dhe nderin e madh, dhe me përkulje të përjetshme para heronjve të rënë, luftëtarëve të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

Lexo po ashtu Epopeja e Dukagjinit, Rifat Jashari bën homazhe në Gllogjan

Homazhe në Gllogjan ka bërë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi ka shkruar se përherë u janë mirënjohës për veprën heroike të këtyre trimave të cilët dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë.

“Në 24 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Dukagjinit, me bashkëpunëtorë dhe kolegë të Partisë Demokratike të Kosovës, bëmë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, për të nderuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë dëshmorë në përballje me forcat serbe. Ditë të tilla si 24 marsi i vitit 1998, janë ndër datat më krenare dhe sublime të historisë së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Në 24-vjetori i betejës së Gllogjanit, e njohur ndryshe si “Epopeja e Dukagjinit” në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan ka bërë homazhe edhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Nga aty, Besnik Tahiri tha se kjo datë do të kujtohet gjatë gjithë historisë së kombit tonë.

“Kemi vendosur që prononcimin tonë si grup parlamentare ta bëjmë këtu nga Gllogjani një vend historik, një vend ku prehen burrat dhe gratë që dhanë jetën e tyre dhe dëshmuan se liria ka çmim, por liria është e padiskutueshme për kombin dhe vendin tonë[…]Kemi vlerësim të lartë për kontributin e NATO-s si datë e rëndësishme e 24 marsit, por njëkohësisht për të vlerësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Epopenë e Dukagjinit dhe gjithë dëshmoreve të kombit”, tha ai. /Telegrafi/