Site icon Telegrafi

Epoka e çzhdukjes: A duhet të rikthejmë mamuthin?

Ilustrimi: Matthew Billington / FT

Nga: Henry Mance / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Paramendoni, nga njëra anë, disa specie të famshme, por të zhdukura, si dodoja dhe mamuthi leshator. Nga ana tjetër, imagjinoni disa figura të njohura dhe të gjalla nga bota e shoubizit, si Peter Jackson, Paris Hilton dhe Tony Robbins.

Në mes, duke lidhur të dyja anët, qëndron Ben Lamm. Ai ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke ngritur biznese në fushën e softuerëve. Tani, në moshën 43-vjeçare – “biologjikisht jam kaq, epigjenetikisht jam 36 vjeç”, thotë me bindje – ai po udhëheq një nga projektet më ambicioze bioteknologjike në botë. Ai synon të përdorë famën dhe burimet financiare të këtyre figurave të famshme, së bashku me kapitalin fillestar, për t’i dhënë jetë të re mamuthëve dhe dodove.

Mamuthët leshatorë u zhdukën rreth katër mijë vjet më parë. Colossal Biosciences, kompania e bashkëthemeluar nga Lamm, synon të rikthejë një nga këto krijesa (ose të paktën një që i ngjan) brenda pesë vjetësh. “Zhdukja është një problem kolosal me të cilin po përballet bota. Dhe, Colossal është kompania që do ta zgjidhë këtë”, thuhet me guxim në faqen e saj zyrtare.

Kompania nuk mund të shpërfillet aq lehtë. Ajo ka siguruar 235 milionë dollarë, plus 50 milionë dollarë të tjerë për aspektin e saj jofitimprurës – Colossal Foundation. Së fundmi, ka pretenduar se ka hartuar pothuajse të gjithë gjenomin e tilacinit, një marsupial ky që ngjan me ujkun dhe që u zhduk në Australi rreth një shekull më parë.

“Kur nisëm në 2021, menduam se do të arrinim te tilacini brenda 10 vjetësh. Besojmë se jemi në rrugën e duhur, madje përpara afatit”, tha Lamm, duke folur nga Zelanda e Re, ku do të takohej me Peter Jacksonin, regjisorin e Kryezotit të unazave [Lord of the Rings], i cili ka investuar 15 milionë dollarë në përpjekjet e Colossal-it për “çzhdukjen”.

Çzhdukja është një histori që përmbledh përparimet pothuajse të pabesueshme në biologjinë gjenetike. Por, gjithashtu është një histori që reflekton pikëpamje të kundërta mjedisore.

Mbështetësit argumentojnë se mënyra e vetme që njerëzit të zvogëlojnë ndikimin e tyre në botën e kafshëve është përmes zgjuarsisë. Teknologjia e mirë mund të kundërbalancojë efektet e teknologjisë së keqe.

Skeptikët, nga ana tjetër, e shohin teknologjinë, ose të paktën përdorimin e saj të tepruar, si pjesë të problemit. Për ta, çzhdukja është në rastin më të mirë një shpërqendrim iluzionist nga ajo që ka vërtet rëndësi: shpëtimi i specieve të kërcënuara sot. Në rastin më të keq, ajo mund t’i pengojë njerëzit të nxjerrin mësime nga zhdukja – dhe nga zhvillimi i një ndërgjegjeje të re mjedisore. Mund të na mësojë se edhe mëkatet tona më të këqija mjedisore mund të zhbëhen.

Filozofja Melanie Challenger vëren se njerëzit ende nuk mund të bashkëjetojnë lehtësisht me ujqërit “pa pasur frikë … Pse të mendojmë se mund të rikthejmë gjitarë më të mëdhenj në mjedis pa asnjë pasojë”?

Për më tepër, çzhdukja i trajton kafshët si mjete, jo si qenie ndjesore. Plani parashikon që elefantët aziatikë, kafshë me marrëdhënie komplekse sociale, të përdoren si zëvendësues për foshnjat mamuthe. Çzhdukja “është një projekt moralisht i korruptuar”, thotë Challenger, një anëtare e thinktankut Nuffield Council on Bioethics.

Ky debat është gjëja më e afërt që kemi me një Park të Jurës [Jurassic Park] të jetës reale. Ndoshta rreshti më i paharrueshëm i atij filmi është deklarata e matematikanit që luhet nga Jeff Goldblum: “Shkencëtarët tuaj ishin aq të preokupuar me faktin nëse mundeshin ose jo, sa nuk u ndalën për të menduar nëse duhet”. A ka rënë Lamm në kurthin e Parkut të Jurës? “Duhet t’ua kujtojmë vazhdimisht njerëzve se ai ishte një film me një fund të shkruar sipas skenarit. Dhe, jo, ju nuk mund të riktheni një dinozaur”, thotë ai. (Ndryshe nga filmi, shkencëtarët nuk kanë gjetur ADN të dinozaurit: duket se ajo nuk mbijeton në fosilet e bllokuara në qelibar.) “Nuk besoj Parku i Jurës kishte në sfond një mision thelbësor konservimi, por ndoshta mund ta kem humbur atë mes rreshtave”.

Ndryshe nga kjo, Colossal-i thekson misionin e saj për të shëruar ekosistemet. Nëse mamuthët leshatorë do të riktheheshin, mbështetësit thonë se kullotja dhe sjellja e tyre do të mund të kthente Arktikun në livadh – duke thithur karbonin dhe duke parandaluar çlirimin e metanit të bllokuar në tokë.

Colossal-i gjithashtu argumenton se teknikat e saj mund të ndihmojnë speciet e rrezikuara, duke gjetur mënyra për të rritur diversitetin e tyre gjenetik. Tashmë, hartimi i gjenomit të elefantit aziatik, nga Colossal-i, ka ndihmuar në krijimin e një vaksine eksperimentale mRNA për herpesin e elefantëve, një sëmundje që prek një numër të madh elefantësh në kopshte zoologjike.

Por, a duhet të jemi të emocionuar apo të shqetësuar?

Gjëja e parë që duhet të njohim për çzhdukjen, thotë Melanie Challenger, “është se vetë koncepti është i rremë”.

Kur George Church, biologu i Harvardit dhe bashkëthemelues i Colossal-it me Lammin, foli për herë të parë publikisht për çzhdukjen rreth vitit 2013, ai iu referua aftësisë për të “zhbërë” vdekjen.

Në fakt, thotë Challenger, “kjo nuk është një zhbërje apo ringjallje. Kjo është inxhinieri gjenetike e një organizmi të ri, me ngjashmëri gjenetike dhe, supozojmë, fizike dhe të sjelljes me një specie kafshësh që tashmë është zhdukur”.

Colossal-i nuk do të rikthejë fjalë për fjalë një mamuth, dodo ose tilacin. Një tjetër iniciativë amerikane për çzhdukjen, Revive & Restore, ka premtuar të “rikthejë” pëllumbin shtegtar, një zog dikur aq i shumtë sa errësonte qiellin e Amerikës. Por, edhe këtu kjo nuk duhet marrë fjalë për fjalë.

Shkencëtarët nuk mund të kalojnë nga një gjenom i hartuar te një krijesë e gjallë. Gjenomi është diçka e ngjashme me “manualin e udhëzimeve Lego”, thotë Lamm. Nuk është zëvendësim për Lego-n aktuale – materialin gjenetik që mund të editohet dhe pastaj, në rastin e një gjitari, të zhvillohet në një embrion dhe më pas të vendoset në një mitër. Materiali dhe mitra surrogat duhet të merren nga një specie tjetër (e afërt).

Për të prodhuar një pasardhës të tilacinit, shkencëtarët e Colossal-it kanë hartuar gjenomet e dasiuridëve – familje e marsupialëve që përfshin djallin tasmanian. Ata gjithashtu kanë analizuar ujqërit dhe qentë e tjerë të mëdhenj, të cilët evoluuan për të pasur tipare të ngjashme me tilacinin, pavarësisht ndarjes së gjatë evolucionare.

Duke kombinuar të dyja, ata kanë identifikuar rreth 300 gjene që mendojnë se përcaktojnë fytyrën e ngjashme me ujkun tilacin. Ata kanë redaktuar këto gjene në qeliza të gjalla të një dunarti me bisht të trashë, duke përdorur teknikat CRISPR që mund të zëvendësojnë pjesë specifike të ADN-së. “Kjo nuk na jep një tilacin, por është një hap i madh drejt tij”, thotë Lamm. Shumë editime të tjera do të kërkoheshin për të rikrijuar tiparet e tjera të tilacinit. Nëse nuk mund të bëhen të gjitha, ajo që do të krijohej është një specie hibride.

Colossal-i ka përparuar me hapat e tjerë, përfshirë teknikat për të implantuar bërthamën e këtyre qelizave në vezën e një dunarti – specien e planifikuar surrogate. “Nuk kemi nevojë për ndonjë teknologji të re”, thotë Lamm.

Shpresa është që marsupialët të jenë të përshtatshëm për eksperimentim. Elefantët, të cilët do të shërbenin si surrogate për mamuthët, kanë periudhën më të gjatë të shtatzënisë ndër të gjithë gjitarët. Për dallim, shtatzënia te dunartët zgjat vetëm dy javë. “Logjistika duhet të jetë pafundësisht më e lehtë”, thotë Ross Barnett, autor i librit Rrëqebulli i humbur [The Missing Lynx], një vepër mbi gjitarët e zhdukur.

Megjithatë, pengesat janë të mëdha. Vetëm një specie e zhdukur është rikthyer deri tash në jetë, dhe historia përbën një paralajmërim. Në vitin 2003, shkencëtarët klonuan një bricjap të Pirenejve duke përdorur qeliza të marra nga një prej anëtarëve të fundit të mbijetuar të specieve – para se ajo të ngordhte. Ata implantuan 208 embrione në 57 mbartëse, bricjapë spanjollë dhe hibride të dhí-cjapëve të egër. Vetëm një çoi në një pjellë të suksesshme. Kloni ngordhi brenda disa minutave për shkak të problemeve me frymëmarrjen. Në vend që të rikthehej nga zhdukja, bricjapi i Pirenejve u zhduk për herë të dytë.

Nëse do të konsideronim kafshët jonnjerëzore si qenie morale, “ne nuk do të toleronim nivelet e abortit apo dëmtimet për mirëqenie” që lidhen me këto metoda, argumenton Challenger. Colossal insiston se teknologjia ka përparuar. “Ne e kemi rritur efikasitetin e klonimit nga dy për qind në 78 për qind”, thotë Lamm. (Ai më vonë sqaroi se kjo i referohet fazës deri në embrion, jo pjellës së gjallë apo mbijetesës deri në pjekuri.)

Përdorimi i elefantëve, kafshë tejet komplekse, si surrogate, ngre çështje etike, thotë Challenger. Për më tepër, nuk ka mjaftueshëm elefantë aziatikë për të vepruar si surrogatë, kështu që Colossal-i po zhvillon gjithashtu mitra artificiale. Mamuthët e vegjël të lindur nga mitra artificiale do të “rriteshin nga gjeneratat e para të mamuthëve për të siguruar që ata të socializoheshin siç duhet dhe të përjetonin mirëqenie optimale”, thotë Lamm. Në dekadat e fundit, është mësuar më shumë për emocionet e elefantëve, të cilat edhe kopshtet zoologjike më të mira kanë vështirësi t’i akomodojnë. A mund të jenë mitrat artificiale një zgjidhje etike, qoftë për elefantët surrogatë apo për mamuthët e vegjël?

“Ne kemi një detyrim moral për të zhbërë mëkatet e së kaluarës. Ne i zhdukëm këto specie”, këmbëngul Lamm. Tilacinët u gjuajtën nga fermerët australianë bazuar në (ndoshta të gabuarën) se ata vrisnin shumë dele. Por, moralisht është e paqartë se si mund të kemi detyrim ndaj një specieje: speciet (në kundërshtim me kafshët individuale) nuk janë qenie ndjesore. Është edhe më pak e qartë se mund të kemi një detyrim ndaj një specieje imituese që nuk ka ekzistuar kurrë më parë.

Ben Minteer, profesor i etikës mjedisore në Universitetin Shtetëror të Arizonës, argumenton se çzhdukja përfaqëson “refuzimin për të pranuar kufijtë tanë moralë dhe teknologjikë në natyrë.” Reflektimi mbi speciet e humbura, përkundrazi, “na detyron të kujtojmë gabimet dhe kufizimet tona”.

Ky argument ndoshta ka një kuptim më të gjerë: një pasardhës i mamuthit ose tilacinit do të magjepste publikun. Megjithatë, konservimi nuk mund të reduktohet në magjepsjen e publikut. Ai duhet të nënkuptojë adresimin e shkaqeve kryesore të humbjes së biodiversitetit sot: shkatërrimin e habitateve natyrore, kryesisht për bujqësinë blegtorale, dhe emetimet që shkaktojnë ngrohjen globale. Për këtë, do të ishte më mirë nëse njerëzimi do të zhvillonte përulësinë – një ndjenjë për brishtësinë – dhe jo një besim të tepruar në fuqitë e tij teknologjike.

Po sikur të krijohej një kafshë e ngjashme me tilacinin dhe të mbijetonte? Në teori, si një grabitqar i madh, mund të ndihmonte në rikthimin e ekosistemeve në Tasmani duke kontrolluar popullatat e valabive dhe barngrënësve të tjerë. Por, rritja e një popullate të madhe të kafshëve në natyrë – dhe më pas përshtatja e tyre – kërkon vite. Shikoni programin shumë të lavdëruar të Kinës për mbarështimin e pandave: që nga viti 1995, më shumë panda janë hequr nga natyra sesa janë vendosur aty, njofton hetimi i fundit i ditores New York Times.

Çdo specie e ringjallur do të kishte një diversitet të kufizuar gjenetik. Kafshët nuk do të mund të mësonin sjelljen “natyrore” nga anëtarët e tjerë të specieve të synuara, pasi këto nuk do të ekzistonin. Tilacini, i cili i fundit ngordhi në vitin 1936, mund të mbijetonte në klimën e sotme, por kafshë të tjera, të zhdukura prej shekujsh ose mijëvjeçarësh, mund të përballeshin me vështirësi ndaj kushteve të reja ose sëmundjeve të panjohura. Çdo gjitar i madh dhe i krijuar rishtazi do të përballej me një reagim të pasigurt nga publiku: një herë kemi vrarë tilacinin dhe mamuthin deri në zhdukje.

Fillimisht, Colossal– planifikon të krijojë “disa dhjetëra mamuthë çdo vit”, por synon të arrijë një popullatë të vetëqëndrueshme prej “mijëra”. Ndoshta do të duheshin qindra-mijëra mamuthë për të ndryshuar tundrën Arktike. Shumica e ekologëve janë skeptikë që kafshët mund të shumohen dhe të lëshohen në numra të mjaftueshëm për të formuar ekosisteme funksionale.

Çzhdukja është një koncept i diskutueshëm që disa e konsiderojnë si “softuer që avullon” [vapourware], me ndikim vetëm “margjinal”, thotë Erle Ellis, profesor i gjeografisë në Universitetin e Merilendit. Ellis, një “eko-modernist” që sheh teknologjinë si potencialisht të dobishme për mbrojtjen e mjedisit, është më i entuziazmuar nga translokimet e specieve – zhvendosja e tyre nga një habitat në një tjetër për t’i shpëtuar ndryshimeve klimatike. “Investimet më të dobishme tani janë në parandalimin e humbjes së specieve që janë në prag të zhdukjes dhe në ruajtjen e habitateve për speciet që kemi”, thotë ai.

Megjithatë, disa ekologë mbeten kureshtarë për çzhdukjen. Përpjekjet mjedisore kanë rritur mbulimin pyjor në Evropë gjatë dekadave të fundit. Pyjet e reja janë bërë të dendura, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj zjarreve dhe shpesh të varfra në biodiversitet.

Për Jens-Christian Svenningun, profesor në Universitetin Arhus, diçka thelbësore mungon: elefantët, të cilët mund të ndihmonin në çlirimin e pyjeve të dendura dhe në lejimin e specieve të tjera që të zhvillohen. “Ne kemi pasur proboscideanë [rendi i gjitarëve, anëtarët e fundit të të cilit janë elefantët] në Evropë për 18 milionë vitet e fundit, përveç 0.1 milionë viteve të fundit. Pra, është një situatë jashtëzakonisht e pazakontë të mos kemi elefantë në sistemin tonë”, thotë ai.

Edhe nëse shkencëtarët nuk mund të prodhojnë një mamuth leshator, ata mund të identifikojnë gjenet për tolerancën ndaj klimave të ftohta dhe të krijojnë “një elefant aziatik të tolerueshëm ndaj të ftohtit që mund të jetojë në Evropë ose Amerikën e Veriut”, shton Svenning, i cili është pjesë e një organi këshillues të qeverisë daneze. Ai pranon se do të ketë pengesa, përfshirë rezistencën publike, por është “optimist se këto gjëra përfundimisht mund të funksionojnë”.

Kurioziteti i Svenningut pasqyrohet nga disa grupe të ruajtjes dhe kërkimit. Revive & Restore, me bazë pranë San Franciskos, po kërkon të identifikojë gjenet e edituara që mund të ndihmojnë zogjtë të përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike. Colossal-i, ndërkohë, po punon me Universitetin e Melburnit për të parë nëse kuollët veriorë, marsupialë të vegjël, mund të modifikohen gjenetikisht për të përballuar helmin nga bretkosat e kallamit – një specie invazive.

Frika se çzhdukja do të thithë fonde nga ruajtja tradicionale, nuk duket e bazuar. Investitori më i madh i Colossal-it është një fond kapital sipërmarrës i udhëhequr nga miliarderi Thomas Tull, producent i filmit Bota e Jurës [Jurassic World], një vazhdim i dinozaurëve i vitit 2015.

Një pyetje e rrallë është si planifikon Colossal-i të gjenerojë të ardhura. Përgjigja kryesore është aplikimi i zbulimeve të saj bioteknologjike në kujdesin shëndetësor njerëzor. “Nëse mund ta bëni këtë me ADN-në antike dhe me organizma jo-model, si elefantët dhe dunartët me bisht të trashë, është dukshëm më e lehtë të përdorni të njëjtat teknologji te minjtë, derrat dhe njerëzit”, thotë Lamm. Mitrat artificiale të Colossal-it, sipas tij, mund të çojnë në përmirësime të mbijetesës së embrioneve në IVF.

Melanie Challenger paralajmëron: “Kompanitë e bioteknologjisë njihen për shfrytëzimin e aplikacioneve të njohura ose moralisht të pranueshme, edhe kur këto aplikacione nuk janë domosdoshmërisht interesi i tyre kryesor”. Çzhdukja mund të jetë një mënyrë për të legjitimuar editimin e gjeneve te njerëzit.

Colossal-i e paraqet çzhdukjen si një “projekt i guximshëm” – duke evokuar kujtime të garës së NASA-s për në Hënë, që çoi në inovacionet e tjera si stilolapsi hapësinor. Por, Barnetti, autor i Rrëqebullit të humbur, vëren se, ndryshe nga stilolapsat hapësinorë, “ka dilema të ndërlikuara morale dhe etike në patentimin apo markën tregtare të proceseve biologjike, apo edhe të indeve të gjalla. Mjafton të shikoni historinë paralajmëruese të HeLa-s [linja qelizore e pavdekshme e marrë nga Henrietta Lacks, një grua afro-amerikane]”.

Çzhdukja nuk është përpjekja e vetme ekologjike që përfshin teknologji të avancuar. Kolonizimi i hapësirës, inxhinieria gjeologjike dhe deshifrimi i gjuhës së kafshëve janë propozuar, madje edhe justifikuar, si përpjekje për të lehtësuar ndikimin tonë në botën jonjerëzore.

Ruajtja konvencionale – si mbrojtja e pyjeve – funksionon, thotë Lamm, por “thjesht nuk funksionon mjaftueshëm shpejt”. Edhe besimtarët e tjerë të teknologjisë argumentojnë se qasja tradicionale ndaj ruajtjes ka dështuar. Gjëja interesante është se skeptikët e teknologjisë mund të thonë të kundërtën: obsesioni ynë me teknologjinë nuk na ka afruar shumë me qëndrueshmërinë dhe trajtimin etik të kafshëve – të paktën deri më tani. /Telegrafi/

Exit mobile version