Në poezitë e fundit të botuara në 85-vjetorin e lindjes, i madhi Dritëro Agolli, ndarë nga jeta, tallej me pleqërinë dhe vdekjen përmes vargjeve në vëllimin poetik “Më prit edhe pak”.
Në poezitë e fundit, shkruajnë mediat shqiptare, ai kishte shënuar edhe variantin për epitafin që donte t’i shkruanin mbi varr.
Epitaf për veten time
– variant-
Përjetësisht këtu fle Dritëroi
Me etrit, gjyshërit dhe shokët pranë.
Të mira bëri pak gjersa jetoi,
Më tepër mund të bënte, po s’e lanë.
Prit edhe pak
Zhurmën pushoi rruga
Nuk lëviz një gjeth,
Fle veriu, hesht juga,
Hënë e lodhur zverdh.
Heshtin qiell e tokë,
Reja nuk derdh shi,
Prit edhe pak kohë,
Të pushosh edhe ti.
Testamenti
O toka ime që të lërova e të thura këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?
Më mirë ma bëj diku në një brazdë,
Apo larg mbi përrua ndofta,
Mbi mua të tundë bishtin e saj një laraskë,
Duke më sjellë lajme nga bota,
Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta,
E kyçur dera, me lloze porta…