Instituti EPIK ka përshëndetur vendimin për ri-organizim të Qeverisë së re me të cilin është shuar Ministria e Integrimit Evropian, ndërsa, përgjegjësitë janë bartur në kuadër të zyrës së kryeministrit, megjithatë ka shprehur shqetësimin për mungesën e adresës politike në kuadër të Qeverisë së re për procesin integrues dhe krijimin e boshllëkut institucional në mungesë të një plani efecient të tranzicionit të MIE-së.
Ky institut nëpërmjet një komunikata thotë se riorganizimin e kanë rekomanduar në tetor të vitit 2019, në përputhje me përvojat më të mira të vendeve të rajonit dhe vendeve të cilat tani më janë bërë shtetet anëtare të BE-së.
“Sidoqoftë, sot dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë për mungesën e adresës politike në kuadër të Qeverisë së re për procesin integrues dhe krijimin e boshllëkut institucional në mungesë të një plani efecient të tranzicionit të MIE-së. Shuarja e MIE-së është bërë – por çfarë tani? Nëse deri dje partnerët tanë evropian kanë pasur adresë Ministrin e Integrimit – kush është adresa e tyre politike tani? Tani më janë emëruar ministrat e rinj të Qeverisë dhe janë ndarë përgjegjësitë institucionale në përputhje me vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë dhe Rregulloren e Qeverisë për fushat e përgjegjësisë dhe administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive, ndërsa ne ende nuk e dimë se kush do të jetë adresa politike e procesit më strategjik të vendit brenda Qeverisë së Kosovës. Mungesa e një vendimi politik për procesin më strategjik të vendit është indikacion i mungesës së vëmendje dhe përgjegjësisë politike për procesin i cili gëzon përkrahjen e 90% të qytetarëve. Po ashtu, presim që Qeveria urgjentisht të prezantoj një plan të qartë të tranzicionit institucional të MIE-së drejt strukturës së re qeveritare – Agjencisë për Integrim Evropian (AIE), në kuadër të zyrës së kryeministrit”, thuhet në komunikatë.
Mungesa e një plani të tranzicioni efecient, sipas institutit, do të krijojë boshllëk politik dhe paqartësi institucionale duke dëmtuar kështu agjendën integruese të vendit.
“Në këtë drejtim, Qeverinë e presin katër hapa drejt strukturës së re institucionale për integrim evropian: Emërimin e njërit nga zëvendëskryeministrat përgjegjës për Integrim Evropian: kështu do ekzistojë një adresë e qartë politike për procesin e integrimit Evropian brenda Qeverisë së Kosovës; Themelimi i Agjencisë për Integrim Evropian: Përgjegjësitë e MIE-së tani do të kalojnë në Agjencinë për Integrim Evropian brenda Zyrës së Kryeministrit. Sidoqoftë, ligjërisht AIE nuk ekziston. Po ashtu, nuk ekziston më as MIE. Rrjedhimisht, është urgjente që Qeveria të dërgoj në Kuvend Projektligjin për Themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian; Miratimi i Rregullores për AIE: Pas aktit themelues të AIE-së, Qeveria duhet të miratoj Rregulloren e brendshme për funksionimin e MIE-së, me ç’rast do të sigurohet organizmi i brendshëm administrativ i shërbimit civil të AIE-së; Plotësim ndryshimi i akteve të ndërlidhura normative qeveritare në fushën e integrimit Evropian: Brenda Qeverisë ekzistojnë shumë struktura ndërqeveritare në fushën e integrimit Evropian, siç janë: Këshilli Ministror për Integrim Evropian, Forumi i Nivelit të Lartë për Koordinimin e Donacioneve, etj – tani Qeveria duhet të siguroj plotësim-ndryshimin e gjithë legjislacionit sekondar për të reflektuar rolin e Zëvendës Kryeministrit për Integrim Evropian dhe të AIE-së”, thuhet në komunikatë.
Ky institut ka ftuar kryeministrin Hoti që urgjentisht të emëroj njërin nga zëvendëskryeministrat përgjegjës për procesin e integrimit evropian, si dhe të merr përgjegjësi politike për procesin integrues duke siguruar një tranzicion efecient të MIE-së në Agjencinë e re për Integrim Evropian me miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Themelimin e AIE-së. /Telegrafi/