Instituti EPIK ka theksuar se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) e gjen Kosovën në nivelin më të ultë zbatimit, përgjatë këtyre katër viteve të hyrjes së saj në fuqi.
Përmes një njoftimi për media EPIK, thekson se që nga hyrja në fuqi e MSA-së në Kosovë mungon vullneti politik për të ndërmarr reformat e parapara me Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.
“Në bazë të raporteve zyrtare të institucioneve:
• Në vitin 2016, programi kishte 1,347 masa – nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 741 masa, apo 55% të programit.
• Në vitin 2017, programi kishte 967 masa – nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 600 masa, apo 62% të programit.
• Në vitin 2018, programi kishte 532 masa – nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 362 masa, apo 68% të programit.
• Në vitin 2019, programi kishte 401 masa – nga të cilat institucionet arritën të përmbushin 204 masa, apo 51% të programit.
Në këtë drejtim, përkundër zvogëlimit të vazhdueshëm të numrit të masave në kuadër të programit, në vitin 2019 shkalla e zbatimit të MSA-së ka arritur nivelin më të ulët ndonjëherë që nga hyrja në fuqi e MSA-së në vitin 2016”, thuhet në njoftim.
Sa i përket llojit të masave, EPIK bënë të ditur se në vitin 2019 nga gjithsej 401 masa të parapara, programi përmbante 160 masa legjislative dhe 241 masa implementuese.
Shkalla më e ulët e zbatimit vërehet tek masat legjislative, me ç’rast shkalla e zbatimit të masave legjislative gjatë vitit 2019 është 36.88%, pasi që 59 nga 160 masa të planifikuara janë zbatuar. Ndërsa, gjendja është pak më pozitive tek masat implementuese, pasi që shkalla e zbatimit të masave implementuese gjatë vitit 2019 është 60.17%, pasi që 145 nga 241 masa të planifikuara janë zbatuar.
“Disa nga masat dhe reformat e pa zbatuara në vitin 2019 janë:
– Miratimi i dy projektligjeve: për racionalizimin e agjencive dhe institucioneve të pavarura; dhe për kontestet administrative;
– Miratimi i katër (4) projektligjeve në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore;
– Miratimi i pesë (5) projektligjeve në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë;
– Miratimi i pesë (5) projektligjeve në fushën e mjedisit;
– Rritja e numrit të inspektorëve të punës;
– Miratimi i tri (3) rregulloreve në fushën e politikave të konkurrencës: de minimis për ndihmë shtetërore; për ndihmë rajonale; dhe për ndihmë horizontale;
– Miratimi i strategjisë për digjitalizim të transmetimit tokësor;
– Miratimi i tri (3) rregulloreve në fushën e sigurisë së ushqimit;
– Mos funksionalizimi i fabrikës për përpunimin e mbetjeve të kafshëve”, thuhet më tej në njoftim.
Sa i përket vitit 2020, EPIK u bënë thirrje institucioneve që të tregojnë vullnet të shtuar politik për të zbatuar reformat e parapara me MSA, pasi që vitin tjetër do të shënojmë pesë vite që nga hyrja në fuqi e MSA-së.
“Viti 2021 do jetë moment i rëndësishëm, pasi që në përputhje me nenin 9 të MSA-së, Këshilli i Stabilizim Asocimit do të bënë vlerësimin detaj të zbatimit të MSA-së dhe rrjedhimisht do të merr masat për të ardhmen e procesit Stabilizim Asocimi për Kosovën”, thuhet në njoftim.
MSA-ja është dokument më i rëndësishëm juridik dhe politik në mes Kosovës dhe BE-së. Kosova ka marr për detyrim që të zbatoj dispozitat e MSA-së brenda periudhës dhjetë vjeçare. Me qëllim të zbatimit të obligimeve që burojnë nga MSA, Kosova miraton çdo vjet Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA). Kërkesa për hartimin e Programit buron nga neni 74, pika 3 e MSA-së. Dokument të tillë, nën emërtime të ndryshme, e kanë në fuqi të gjitha vendet e rajonit që janë pjesë e procesit të Stabilizim Asocimi, psh. në Shqipëri: Plani Kombëtar për Integrim Evropian, në Serbi: Programi Kombëtar për Adoptimin e Acquis apo në Mal të Zi: Programi Kombëtar për Anëtarësim në BE. /Telegrafi/