Instituti EPIK në publikimin e radhës ka trajtuar zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave (ERA).
Në nëntor 2016, u lansua Agjenda Evropiane e Reformave (ERA) nga Kryeministri i Kosovës, dhe Komisioneri për politikat e fqinjësisë evropiane dhe negociatave për Zgjerim i BE-së.
Qëllimi i Agjendës Evropiane të Reformave është që të përzgjidhen prioritetet kyçe të MSA-së me qëllim të avancimit të perspektives Evropiane të Kosovës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Në nëntor 2016, ishin identifikuar gjithsej 22 prioritet që është dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2017. Prioritetet ishin bazuar në 3 shtylla kyçe: (1) sundimi i ligjit, qeverisja e mirë (2) konkurrueshmëria, mjedisi biznesor, si dhe (3) arsimi dhe punësimi.
Dy vite e gjysmë pas lansimit të ERA-s, në bazë të vlerësimit të Institutit EPIK institucionet nuk kanë arritur të zbatojnë pjesën dërrmuese të prioriteteve që dalin nga Agjenda Evropiane e Reformave. Kjo përkundër faktit se të gjitha 22 prioritete është dashur të përmbushen deri nëntor 2018.
Sipas vlerësimit të Institutit EPIK, nga gjithsej 22 prioritete, vetëm 5 prioritete janë përmbushur plotësisht. Ndërsa, në të gjitha 17 prioritete të tjera ka pasur progres, mirëpo asnjë nga to nuk është përmbushur në tërësi.
Pesë prioritetet e përmbushura plotësisht janë: (1) Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit; (2) Miratimi i 3 ligjeve themelore për reformën e administratës publike; (3) Lansimi i prokurimit elektronik; (4) Zbatimi i Strategjisë dhe Planit Veprimit për luftimin e ekonomisë joformale; dhe (5) Përmirësimi i prodhimit të statistikave zyrtare, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Ndërsa nga ana tjetër, është shënuar regres i theksuar në ndërtimin e institucioneve publike të pavarura dhe profesionale. Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkundër rritjes së numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale dhe rritjes së numrit të rasteve të shënjestruara, institucionet nuk kanë arritur të përfundojnë më sukses asnjë rast të profilit të lartë të korrupsionit.
Në rrafshin ekonomik, rritja ekonomike nuk u përktheu në krijimin e vendeve të punës. Kosova ka përjetuar rritje më të madhe të çmimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rritja e çmimeve është ndikuar nga rritja e çmimeve të ushqimit nga muaji korrik dhe ka arritur 5.5% në dhjetor 2018.
Investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie nga 2.9% në 2016, në 2.8% në 2018. Papunësia e përgjithshme është rrit për 2.1%, nga 27.5% në vitin 2016 në 29.6% në 2018. Papunësia e të rinjve është rrit për 3%, nga 52.4% në 2016, në 55.4% në 2018. Ndërsa, papunësia e grave është rrit për 1.6%, nga 31.8% në 2016, në 33.4% në 2018.