90 raste me COVID-19 janë shënuar në 24 orët e fundit në vendin tonë dhe 3 persona kanë ndërruar jetë.
Ndërkohë në spitalin infektiv po marrin trajtim 80 pacientë, mes të prekurve është dhe një fëmijë 2 muajsh.
Marjeta Dervishi, epidemiologe pranë ISHP tha për Euronews Albania, se foshnja 2 muajsh dhe nëna e saj janë shtruar me shenja klinike të COVID-19 kryesisht temperaturë, dhe janë në monitorim të plotë nga pediatri në gjendje të stabilizuar.
Teksa theksoi se rasti i foshnjës 2-muashe me COVID-19 është i pari në Shqipëri kur një fëmijë paraqitet me shenja klinike dhe shtrihet në spital, pasi siç shpjegoi në përgjithësi rastet e fëmijëve tek ne kanë shkuar mirë
Dervishi tha se që nga nisja e pandemisë në vendin tonë janë infektuar me COVID-19, 125 fëmijë.
Epidemiologia e lidhi numrin e shtuar të rasteve me COVID-19 në vendin tonë gjatë javëve të fundit me lehtësimin e masave pas karantinës, e shoqëruar kjo edhe me një mungesë të theksuar bashkëpunimi nga qytetarët në zbatimin e masave mbrojtëse.
“Duhet të ketë një rritje të ndërgjegjësimit për të respektuar masat që janë fare të thjeshta. Është i detyrueshëm përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, virusi është mes nesh.
Pas periudhës së karantinës ka ndodhur e kundërta, nuk kemi pasur respektim të masave mbrojtëse”, tha Dervishi.