Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, sot ka mbajtur një mbledhje për të diskutuar për menaxhimin e situatave në rast të dyshimit/konfirmimit të rasteve me Novel Coronavirus COVID-19.
Gjatë kësaj mbledhje është diskutuar për rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi dhe koordinimi me të gjitha institucionet përgjegjëse për gatishmëri në reagim në situata të tilla.
Po ashtu në këtë mbledhje u vlerësua edhe vigjilenca dhe gatishmëria e epidemiologëve për detektimin e hershëm dhe reagimin me kohë në momentin që lajmërohet ndonjë rast i tillë në Kosovë.
“Tema e diskutimit ishte situata aktuale me Novel Coronavirus COVID-19, masat parandaluese dhe menaxhimi i situatave në rast të dyshimit/konfirmimit të rasteve me Novel Coronavirus COVID-19. Edhe një herë është theksuar rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit me të gjitha institucionet të cilat janë përgjegjëse për gatishmëri dhe reagim në situata të tilla. Në takim u vlerësua vigjilenca dhe gatishmëria e epidemiologëve për detektimin e hershëm dhe reagimin me kohë në çdo moment të dyshimit për lajmërimin e rasteve me Novel Coronavirus COVID-19”, thuhet në komunikatën e IKSHPK.
IKSHPK ka njoftuar edhe për gjendjen me të cilën po përballen shtetet e prekura nga ky virus.
“Sipas raportit të fundit të OBSh-së, në mbarë botën janë konfirmuar 43.103 raste me Novel Coronavirus COVID-10. Prej tyre, 42/708 janë në Kinë, 7.333 në gjendje të rëndë dhe 1/017 raste të vdekjes. Në shtetet tjera jashtë Kinës janë konfirmuar 395 raste të shpërndara në 24 shtet dhe një rast i vdekjes në Filipine. Deri më tani në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast me Novel Coronavirus COVID-19 dhe rreziku për Koronavirusin e ri COVID-19 në Kosovë mbetet akoma i ulët”, thuhet në komunikatë.
IKSHPK ka dhënë edhe një listë këshillash që duhet t’i ndiqni për të parandaluar infektimin me virus si:
Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.
- Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
- Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.
- Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.
- Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
- Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
- Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.
- Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
- IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme.
Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me koronavirusin e ri COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime dhe për to do të informoheni me kohë.