Site icon Telegrafi

Epic Games do të pushojë nga puna 16 për qind të fuqisë punëtore

Epic Games, prodhuesi i Fortnite, tha të enjten se do të pushojë nga puna 16 për qind të stafit të saj, rreth 830 punëtorë, ndërsa përpiqet të ndryshojë atë që drejtori ekzekutiv Tim Sweeney i quajti shpenzime “joreale”.

Në një letër drejtuar punëtorëve të enjten, Sweeney tha se kompania e lojërave video kishte “shpenzuar më shumë para sesa fitojmë ne, duke investuar në evolucionin e ardhshëm të Epic”.

“Unë kisha qenë prej kohësh optimist se ne mund ta kalonim këtë tranzicion pa pushime nga puna, por në retrospektivë shoh se kjo ishte joreale”, shkroi Sweeney në letrën, të cilën kompania e ndau publikisht, raporton CNN, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi se Epic planifikon të largohet nga platforma muzikore e pavarur në internet Bandcamp, të cilën e bleu vitin e kaluar dhe që tani do të blihet nga firma e tregut muzikor Songtradr.

Epic gjithashtu do të shndërrojë pjesën më të madhe të ndarjes së saj të marketingut SuperAwesome në një kompani të pavarur.

Pushimet nga puna e Epic janë vetëm shkurtimet më të fundit të vendeve të punës për të goditur industrinë e teknologjisë, e cila u detyrua të përshtatej pasi rritja mahnitëse që panë shumë kompani gjatë kulmit të pandemisë Covid-19 filloi të ngadalësohej.

Meta, Microsoft, T-Mobile, Lyft dhe të tjerë kanë reduktuar fuqinë e tyre të punës në fillim të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version