Site icon Telegrafi

Enveri dërgoi 675 diversantë dhe spiunë kundër Titos

Është quajtur ndryshe dhe si “një monografi monumentale”. Fjala është për librin voluminoz të autorit slloven Joze Pirjevec, të titulluar “Tito dhe shokët”.

Libri ka ardhur në shqipe nga Shpresa Rupar dhe është botuar nën kujdesin e Shtëpisë botuese “Botart”. Ky libër, që cilësohet si një biografi e plotë, voluminoze, profesionale dhe shumë interesante, sjell këndvështrime të reja për jetën e Titos, si dhe për rolin e tij vendimtar për formimin dhe zhvillimin e një Jugosllavie tjetër.

Autori është mbështetur mbi një numër dokumentesh, të cilat ruhen në arkivat personale dhe shtetërore në Lubjanë dhe në kryeqytete të tjera të republikave të ish-Jugosllavisë. Ai gjithashtu hulumtoi mes materialeve që janë në dispozicion në arkiva të ndryshme në Uashington, Nju-Jork, Moskë, Berlin, Kajro, Nju-Delhi.

Autori gjatë kërkimeve të ndryshme arriti të kishte qasje edhe te materialet e arkivave të shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja, si STAS-i dhe KGB-ja, ku mësoi fakte të reja për vendimet e Titos dhe reagimet e shokëve të tij më të afërt në çastet historike kyçe.

Për herë të parë, libri sjell detaje të panjohura nga përplasjet e forta të udhëheqësit jugosllav me Stalinin, flirtet me Churchillin dhe presidentin amerikan, Nixon, si dhe ndihmat ushtarake dhe ekonomike që përfitoi nga ShBA-ja dhe Anglia.

Aty përmendet roli i Titos në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe organizimin e rezistencës antifashiste. Përse kishte frikë prej shqiptarëve, raportet e vështira me Enver Hoxhën dhe infiltrimi i agjentëve nga Shqipëria në Kosovë…

Më poshtë gazeta janë disa fragmente nga libri, të cilat kanë të bëjnë me Shqipërinë.

***

Në një njoftim të lëshuar nga KQ i PKBS-së në vitin 1958, me rastin e përvjetorit të Revolucionit të Tetorit, Jugosllavia nuk u përfshi mes vendeve që “ndërtojnë socializmin”. Prandaj, LKJ-ja nuk u ftua në Kongresin XX të PKBS-së, i planifikuar në vitin 1959.

Me gjithë e polemikat e ashpra, Moska ishte e mendimit se me jugosllavët ishte mirë të ruanin të paktën marrëdhëniet në nivelin shtetëror. Bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe shkencor vazhdoi.

Qëndrimi më radikal ndaj “revizionizmit” u mor nga bullgarët dhe shqiptarët, të cilët, për shkak të mosmarrëveshjeve në kufi, Jugosllavinë e shikonin si armikun e tyre më të keq. Siç shkroi “Politika”, më 17 shtator 1958, këta të fundit ua kërkuan haptas bashkatdhetarëve të tyre në Kosovë që ta kundërshtonin regjimin e Titos.

Ajo besonte se Shqipërisë, “me këtë veprim të pacivilizuar”, i ishte ngarkuar roli i provokatorit, dhe e akuzoi qeverinë e Enver Hoxhës se, me këtë veprim, kishte kapërcyer gjithë “vulgaritetin” e vet të mëparshëm.

Vërtet që qëndrimet armiqësore të bullgarëve dhe të shqiptarëve nuk befasuan askënd në Beograd, por ndodhi e kundërta me ata që kishin ardhur nga Kina. Bashkëpunimi politik, ekonomik dhe kulturor i Jugosllavisë, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të më 11 shkurt 1955, ishte më se korrekt, edhe pse jo i përzemërt, pasi Tito dhe shokët, që në 1948-n kishin parë te Mao Ce Duni aleatin e tyre natyror kundër “vëllait të madh moskovit”.

Gjithashtu, tek ata ndikoi edhe fakti që komunistët kinezë e kishin organizuar revolucionin me forcat e tyre, ashtu si ata jugosllave. Shumë shpejt kuptuan që ishte thjesht një iluzion, pasi kinezët pa hezitim kaluan në krahun e palës së Stalinit.

Megjithatë, pas vitit 1955 ata e ndryshuan qëndrimin e tyre dhe e pranuan publikisht se me politikën e tyre ndaj Jugosllavisë ata kishin gabuar. Madje, Mao Ce Duni, pas vizitës së Hrushovit në Beograd, në një pritje deklaroi publikisht: “Unë e përgëzoj Titon për atë që nuk hoqi dorë nga parimet e tij. Deklarata e Beogradit është dokumenti më i rëndësishëm që ka dalë deri më tani nga lëvizja punëtore”.

Vetë Çu En Laj, bashkëpunëtori më i ngushtë i Maos, i tha ambasadorit jugosllav në Indi, ku ai ndodhej për një vizitë, në fund të vitit 1956, se “Ne duhet të jemi dhe do të jemi miq”.

Në takimin e Moskës të vitit 1950, me rastin e 40-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, Mao mbajti një qëndrim shumë miqësor ndaj delegacionit jugosllav dhe, sipas mënyrës së tij, ai theksoi ngjashmërinë e LKJ-së dhe PK të Kinës në lidhje me PKBS: “Ju dhe ne ndryshojmë vetëm për atë që ju keni mustaqe, ndërsa ne nuk kemi”.

Një vit më vonë, më 28 shkurt 1958, të dyja vendet nënshkruan protokollin tregtar që parashikonte shkëmbimin e mallrave deri në 19,6 milionë dollarë.

Kinezët nuk ranë dakord me pretendimin heretik të Kongresit VII, që eliminimi i blloqeve do ta shpëtonte botën nga rreziqet e luftës atomike. Jugosllavët i akuzuan se ata hoqën dorë nga revolucioni dhe nga diktatura e proletariatit, por veçanërisht, kundërshtuan faktin që pikëpamjet e tyre jokonformiste i kthyen gati në doktrinë.

Pati edhe një polemikë mediatike, ku gazeta ideologjike e KQ të PK të Kinës, “Flamuri i Kuq”, nuk ngurroi t’i fyente drejtuesit kryesorë jugosllavë, duke filluar me Titon, duke i quajtur “agjentë të imperializmit”.

Kjo shkaktoi ftohjen e marrëdhënieve diplomatike, pasi të dy ambasadorët, si ai kinez në Beograd, Wu Hsiu-Chuan, dhe ai jugosllav në Pekin, Vladimir Popoviq, u larguan nga ambasadat e tyre. Në fakt, pas gjithë kësaj fshiheshin konflikte gjithnjë e më të mprehta midis Mao Ce Dunit dhe Hrushovit, të cilat, për momentin, superfuqitë nuk donin t’i bënin publike.

Pas goditjes që mori Bashkimi Sovjetik, për shkak të kryengritjes hungareze, Pekini dëshironte ta forconte statusin e tij brenda botës komuniste, duke krijuar një linjë ideologjike që nuk do të varej nga Moska.

Qysh në mbledhjen e nëntorit të 1957-s në Moskë, Kardeli e kuptoi përçarjen mes dy palëve dhe i paralajmëroi shokët e tij se “tashmë, mes rusëve dhe kinezëve kishte filluar beteja e përparësisë ideologjike në lëvizjen punëtore ndërkombëtare”.

Por askush në Beograd nuk e priste që konflikti do të zhvillohej ashtu siç u zhvillua. Dy superfuqitë, të paktën në fillim, nuk debatuan hapur, por secila prej tyre, në vend të fajtorit të vërtetë, zgjodhi “mëkatarin”, i cili duhej të pranonte goditjet.

Kinezët zgjodhën Jugosllavinë, veçanërisht Titon, “tradhtarin e proletariatit botëror”, ndërsa sovjetikët Shqipërinë, e cila kohët e fundit ishte kthyer në vasalen e Pekinit në Ballkan. Natyrisht që jugosllavët e kishin të qartë atë që po ndodhte prapa skenave, por ata, siç thoshte Vladimir Popoviç, nuk pranonin të “gjunjëzoheshin”, madje, ata i hodhën edhe më shumë benzinë zjarrit të polemikave që u ndezën pas Kongresit VII.

Në komentin e tij për politikën që mbretëronte midis Moskës dhe Uashingtonit drejt fundit të viteve pesëdhjetë, në Zagreb, në dhjetor të 1959-s, Tito theksoi se njerëzimi, për shkak të zhvillimit teknologjik, po hyn në një “epokë të re”, që Marksi dhe Lenini nuk mund ta parashikonin. Problemet e reja që dolën nuk lidhen më me çështjen e paqes ose të luftës, por janë probleme të bashkëpunimit dhe konkurrencës ndërkombëtare.

“Duke vepruar kështu, ky rebel hedh plotësisht poshtë çështjen e kontradiktave të klasave, si dhe të luftës së klasave”, komentoi Hung-ch’i më 16 prill 1960, dhe kërkon “të mohojë analizën marksiste-leniniste të kohës sonë, e cila është kohë e imperializmit dhe e revolucionit proletar, si dhe fitoret e socializmit dhe komunizmit.

Në epokën e re të Titos nuk ekziston as imperializmi, as revolucioni proletar dhe as diktatura e proletariatit. Pika thelbësore të kontradiktave të klasave dhe të luftës së klasave në kohën tonë nuk ka, mungojnë çështjet thelbësore të leninizmit, në fakt leninizëm nuk ka”.

Për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve, me urdhër të Komitetit Ekzekutiv, Kardeli shkroi me nxitim, në vetëm njëzet ditë, traktatin Socializmi dhe lufta, të botuar në gusht të 1960-s. Në të, ideologu slloven nuk e kurseu hegjemonizmin sovjetik.

Në të ai argumentonte se lufta midis vendeve socialiste, e cila kishte si synim që vendeve të tjera t’u impononte interpretimin e vendit agresor për konceptin e socializmit, do të quhej “veprim reaksionar”.

Pa dyshim, me këtë e kishte fjalën për sovjetikët. Por kur shtrohej pyetja, nëse lufta midis blloqeve ishte e pashmangshme, ai i dha të drejtë Hrushovit dhe hodhi poshtë tezën kineze se imperializmi ishte vetëm një “tigër prej letre”, që nuk kishte arsye për ta pasur frikë. Lufta me të, pretendonin kinezët, do të jetë e pashmangshme, për sa kohë që ekziston.

“Asgjë nuk mund të ishte më e gabuar”, shkroi gjeneral Hsiao Hua, zëvendësdrejtor i njësisë politike të Ushtrisë Çlirimtare Popullore në Jen min Jih pao, më 4 qershor 1960, “sesa mendimi se kishte ndryshuar natyra sulmuese e imperializmit, dhe se perspektiva e një lufte globale kundër kampit socialist ishte zhdukur”.

Ashtu siç kishte thënë Tito, vetëm nga fundi i prillit të 1958-s deri në fund të tetorit të po atij viti, blloku sovjeto-kinez publikoi 670 artikuj antijugosllavë, ku numri më i madh vinte nga kinezët, të ndjekur nga sovjetikët, shqiptarët, bullgarët dhe nga çekosllovakët.

Traktati i Kardelit e përkeqësoi akoma edhe më shumë polemikën, megjithëse Hrushovi insistonte me tezën se është e nevojshme që të dënohet titizmi, por, duke ruajtur marrëdhënie të mira me popujt jugosllavë, ai këtë gjë e përsëriti edhe në Kongresin XXI. Jugosllavët, natyrisht nuk qëndruan duarkryq.

Me rastin e 40-vjetorit të themelimit të PKJ-së, më 19 prill 1959, Tito mbajti një fjalim të rëndësishëm, ku ai tregoi historinë e saj tronditëse, duke theksuar rolin e komunistëve jugosllavë në luftën për vendosjen e socializmit në Evropë.

Për këtë flasin varret e tyre të shpërndara nga Madridi deri në Arktik në Norvegji. “Nuk është aspak e tepërt të thuhet se ka pak parti që mund të përballen me proletariatin ndërkombëtar me këtë lloj bilanci, në dyzet vitet e fundit. /…/ Ne mund t’u dëshmojmë të gjithëve se ngritëm lart flamurin e Marksit, Engelsit dhe Leninit.”

Pavarësisht këtyre fjalëve krenare, Tito gjithsesi nuk dëshironte t’i hidhte benzinë zjarrit, prandaj në vitin 1959 pranoi sugjerimin që në veprat e tij, të botuara në Zagreb në atë kohë, t’i censuronin kritikat më të mprehta ndaj Bashkimit Sovjetik dhe ndaj sistemit të tij shoqëror, kritika që i kishte bërë në fillim të dekadës, veçanërisht me fjalimet e tij të Kongresit VI.

Ai iu përgjigj sulmeve që ndërmori në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine, madje duke e kaluar atë dhe në Moskë e në Pekin. Tashmë, nga një raport i ambasadës së Gjermanisë Lindore në kryeqytetin kinez, e dimë që ambasada jugosllave, në vjeshtën e vitit 1960 i mbyti përfaqësitë e huaja, sidomos ato socialiste, me materiale propagandistike, të cilat ato pjesërisht i dogjën, pjesërisht ia kthyen dërguesit. E vetmja gjë që bënë ambasadorët ishte se, të paktën ata e lexuan materialin dhe për përmbajtjen e tij iu raportuan ministrave të tyre të jashtëm.

Kulmi i polemikës arriti në Moskë, më 6 nëntor 1959, gjatë takimit të 81 partive përfaqësuesve komuniste dhe partive të punës, me rastin e festimeve për Revolucionin e Tetorit. Me këtë rast, ata u përpoqën ta kapërcejnë mosmarrëveshjen në rritje midis Pekinit dhe Moskës, duke e dënuar njëzëri “oportunizmin ndërkombëtar” të Jugosllavisë.

Duke përqafuar me kokëfortësi tezat e tyre revizioniste, liderët jugosllavë largohen gjithnjë e më shumë nga parimet e marksizëm-leninizmit, duke e bërë vendin e tyre gjithnjë e më shumë të varur nga imperializmi, veçanërisht nga ai amerikan, dhe kjo bën që të kthehen kundër kampit socialist.

Përfaqësuesit e këtij të fundit, këtë fakt e mbështetën edhe duke vënë në dukje se disa nga liderët më të shquar jugosllavë, Kardeli, Bakariçi, Vukmanoviçi, Stamboliçi, vijnë nga shtresa borgjeze.

Sipas tyre, bëhej fjalë për një rrymë të vërtetë revizioniste brenda partisë, e cila, duke botuar një program të miratuar në Kongresin VII, mendohej të kishte sukses, çka do të thoshte goditje e re për aspiratat e Bashkimit Sovjetik, dhe kjo me qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve midis LKJ-së, PKBS, si dhe palëve të tjera vëllazërore.

Njerëzit e vetëm në kamp, të cilët ranë disi dakord me jugosllavët, ishin polakët. Por edhe ata menduan se jugosllavët ishin “budallenj, sepse nuk dinë si t’i fshehin mendimet e tyre”.

Një vit më vonë, në shtator të 1960-s, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, midis Titos dhe Hrushovit pati një afrim të papritur. Të dy burrat e shtetit u takuan katër herë dhe ata ranë dakord që t’u jepnin fund polemikave.

“Ne u pajtuam plotësisht,- tha Hrushovi, pas takimit të parë dyorësh,- sepse pikëpamjet tona janë identike ose shumë të afërta.” Këto fjalë u drejtoheshin kryesisht kinezëve, pasi marrëdhëniet mes tyre dhe sovjetikëve ishin drejt kolapsit përfundimtar.

Ishte më se e qartë se Hrushovi atyre po u dërgonte një paralajmërim të qartë: politikën e jashtme të bllokut sovjetik ai do ta drejtonte në përputhje me pikëpamjet e tij, pavarësisht qëndrimeve të Pekinit, të cilit ai nuk kishte ndër mend t’i bënte lëshime në asnjë drejtim. Kinezët reaguan të indinjuar, natyrisht në mënyrën e tyre, kështu që ata filluan t’i godisnin përsëri jugosllavët me të gjitha mënyrat.

Në shkurt të vitit 1961, kjo polemikë u intensifikua. Në Tiranë u mblodh Kongresi i PPSH-së, në të cilin, në lidhje me Deklaratën e Moskës, Enver Hoxha akuzoi me forcë jugosllavët për idealizëm metafizik, gjë që çonte drejtpërdrejt në revizionizëm dhe oportunizëm.

Midis dy vendeve u krijua një situatë tepër e tensionuar dhe pati një seri incidentesh, të cilat çuan deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Në prill të 1961-shit, jugosllavët e akuzuan Shqipërinë për ndjekjen e një politike që shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në “Librin e bardhë”, të cilin e botuan për këtë rast, shkruhej se Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë, në dy vitet e fundit kishin mbajtur 145 fjalime urrejtjeje kundër Jugosllavisë, dhe se që nga viti 1948 deri në shtator të 1960-s qeveria e Tiranës ishte përpjekur të fuste kontrabandë në Jugosllavi 675 diversantë dhe spiunë.

Jehona e këtyre polemikave në Perëndim ishte krejtësisht ndryshe. Në Perëndim, jo vetëm që e ndoqën Jugosllavinë me shumë vëmendje, por ata gjithashtu e inkurajonin atë që të këmbëngulte me qëndrimet e saj të guximshme.

Kur në tetor të 1958-s, ambasadori i ri jugosllav në Uashington, Marko Nikeziç, filloi mandatin e tij dhe vizitoi Shtëpinë e Bardhë, presidenti Ajzenhauer, në fjalën e tij të mirëseardhjes tha se “qeveria amerikane ndjek me respekt dhe përzemërsi vendosmërinë e jugosllavëve dhe të qeverisë së tyre.

Jugosllavia, e cila i ka rezistuar me sukses ndikimit sovjetik, do të vazhdojë të marrë ndihma nga SHBA-ja për të siguruar prosperitetin e saj”. Dhe kështu ndodhi. Në vjeshtën e vitit 1958, jugosllavët kërkuan një kredi prej 100 milionë dollarësh nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe; në dhjetor administrata amerikane vendosi të diskutonte se si ta zbatonin programin e ri për ta ndihmuar regjimin e Titos.

Një vit më vonë, si mbështetje për rolin e rëndësishëm që Jugosllavia luajti, ajo dha një kredi shtesë për zhvillimin e hidrocentralit afër Dubrovnikut. Qeveria e Beogradit e tregoi mirënjohjen e saj ndaj këtij veprimi, duke e porositur shtypin që të mos e sulmonin më Perëndimin. Kjo gjë vlente kryesisht për SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën. /Fjala/

Exit mobile version