Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Enver Hoxhaj, ka realizuar një video-prezantim nga Qafa e Duhlës, ku ka shpalosur një nga projektet infrastrukturore kyçe të qeverisë së ardhshme të PDK-së.
Ai theksoi se ndërtimi i autostradës që do të lidhë Duhlën me Shtimen dhe Lipjanin do të forcojë lidhjet brenda Kosovës, por edhe me Shqipërinë dhe trojet shqiptare në Maqedoni.
“Qafa e Duhlës është një pikë e cila çdoherë e ka lidhë Rrafshin e Kosovës me Dukagjinin. Por me qeverinë nën udhëheqje të Bedri Hamzës, me autostradën e cila do ta lidhë Duhlën, me Shtime dhe Lipjan, ne do ta lidhim jo vetëm Kosovën brenda për brenda, por do ta lidhim Shqipërinë me Kosovën dhe me trojet shqiptare në Maqedoni,” u shpreh Hoxhaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 9 shkurt të votojnë Partinë Demokratike të Kosovës, duke rikujtuar numrin zgjedhor të partisë dhe të kandidatit të saj për kryeministër.
“Prandaj, më 9 shkurt, votoni për Partinë Demokratike të Kosovës me numrin 131, natyrisht numrin 4,” përfundoi ai. /Telegrafi/