Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i është përgjigjur sulmeve të Isa Mustafës së LDK-së që sot bëri kundër Partisë Demokratike.
Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook tha se asnjëherë nuk është vonë për LDK-në që ta japë kontributin e saj për përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës.
Ai tha se LDK duhet të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të fillojë të ketë vendime të prera për çështjet e rëndësisë shtetërore.
Postini i plotë i Hoxhajt:
“Asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës. Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë. E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, ka shkruar Hoxhaj.
Reagimi i zëvendëskryetarit të PDK-së, vjen pasi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook doli me deklarata e akuza të shumta kundër Kadri Veselit e Partisë Demokratike të Kosovës./Telegrafi/