Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i është kundërpërgjigjur përfaqësuesit të Federatës Ruse në OSBE, Aleksandr Lukashevich, i cili ka thënë se Kosova gjithnjë e më shumë po bëhet një vend destabilizues.
Hoxhaj ka thënë se është shqetësuese se si diplomatët rusë e keqpërdorin misionin e OSBE-së në Ballkan për ta zhvilluar luftën e tyre hibride kundër vlerave perëndimore.
“Shtetet anëtare të OSBE-së nuk duhet të befasohen me deklaratën e Ambasadorit rus”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
“Më shqetësuese është që diplomatët rusë keqpërdorin misionet e OSBE-së në Ballkan si platformë për luftën e tyre hibride kundër misionit të vetë organizatës dhe kundër vlerave perëndimore”.
Ky reagim erdhi pasi një ditë më parë diplomati Lukashevich ka thënë se Kosova është bërë një vend destabilizues në rajon dhe një vend që mund të sjellë konflikte.
Sipas tij, autoritetet kosovare po synojnë që të krijojnë një krizë e cila mund të rezultojë në një luftë të re, transmeton Klan Kosova.
“Kosova gjithnjë e më shumë po bëhet një vend destabilizues, një vend që mund të sjellë konflikte. Administrata e Kosovës haptazi synon që të krijojë një krizë që mund të çojë në një luftë të re”.
“Arkitektët perëndimorë të Kosovës kanë humbur kontrollin mbi projektin e tyre”.