Enver Hoxhaj është njëri nga politikanët dhe diplomatët më të rëndësishëm të Kosovës për mbi 15 vite.
Hoxhaj është emëruar kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe tani është kandidat i kësaj partie për kryeministër, për zgjedhjet e parakohshme të datës 14 shkurt 2021.
Hoxhaj së fundmi ka shërbyer si zëvendëskryeministër i Kosovës (2017-2020). Paraprakisht, për pesë vite (2011-2014 dhe 2016-2017) ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, ku ka luajtur rol kyç në konsolidimin dhe forcimin e diplomacisë bilaterale dhe multilaterale.
Ai po ashtu ka shërbyer si ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (2008-2010), i pari pas pavarësisë së Kosovës, duke shënuar arritje të mëdha në modernizimin e sistemit dhe infrastrukturës së edukimit.
Si anëtar i Delegacionit të Kosovës në bisedimet e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara për përcaktimin e statusit të Kosovës, në Vjenë (2005-2007) ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Hoxhaj, ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës dhe për kohë të gjatë ka qenë aktivist i të drejtave të njeriut.
Mban titullin PhD në histori dhe politikë nga Universiteti i Vjenës dhe është autor i shumë artikujve shkencorë, librave dhe publikimeve tjera. Ai ka pos-doc në LSE. Dr. Hoxhaj flet rrjedhshëm gjuhën gjermane, angleze dhe serbo-kroate.