Telegrafi

Enver Hoti: Të bëhet luftimi i korrupsionit, pa lënduar institucionet

Kandidati për deputet nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Enver Hoti, ka dhënë alternativën e NISMA-s për luftën kundër korrupsionit.

Hoti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se institucionet shtetërore janë ndërtuar me mund dhe sipas tij ato duhet mbështetur e jo sulmuar.

“Është shqetësuese që partitë tjera po kërkojnë mekanizma të ndryshëm nga institucionet shtetërore për të luftuar krimin e korrupsionin”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se edhe në ta kaluarën ka pasur task-forca të ndryshme që nuk kanë dhënë efekt.

“Për të luftuar korrupsionin duhet pasur vullnet politik. Duhet pasur edhe përmirësim dhe avancim të sistemit të drejtësisë. Nuk duhet të ketë drejtësi selektive”.

Hoti thotë se raporti i Transparency International është shqetësues por sipas tij ajo pasqyron se korrupsioni është më i theksuar te partitë më të mëdha.

Kandidati për deputet nga koalicioni NISMA-AKR-PD ka thënë se partitë duhet t’i kthehen realitetit pas mbarimit të fushatës.

“Duhet të ketë vullnet politik e ngritje ekonomike, vetëdijesim të qytetarëve, forcim të institucioneve aktuale e nëse është i nevojshëm edhe një vetting, por pa lëndim të institucioneve”, tha ndër të tjera Enver Hoti./Telegrafi/