Telegrafi

Enrique: Kush tha që e fituam titullin?

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, ka deklaruar se ai ka qenë i vetdishëm edhe para humbjes nga Real Sociedadi se kampionati nuk është fituar.

Mikel Oyarzabal ishte ai që shënoi golin e vetëm të sfidës që u zhvillua në Anoeta dhe që e ri-hapi luftën për titull në La Liga, me Barcën që regjistroi të dytën humbje radhazi.

“Ata shënuan në goditjen e tyre të parë. Ne kemi pasur pjesë të parë të dobët. Ne kërkuam fitoren nga fillimi më shumë me zemër se me kokë, por na është nevojitur qetësia”.

“Më pëlqeu pjesa e dytë më shumë. Krijuam më shumë raste, por Rulli ka pasur ditë të mirë. Pa luajtur mirë, nuk mendoj se merituam fitoren”.

“Janë edhe gjashtë ndeshje të mbetura dhe tash kampionati është interesant. Mendimet pesimiste nuk na ndihmojnë. Ata janë lojtarë, jo makineri. Tash mendojmë për Ligën e Kampionëve. Ne kurrë nuk kemi thënë se është lehtë, apo kampionati tashmë ishte i fituar”, deklaroi Enrique. /Telegrafi/